Një lloj H3N8 i gripit të shpendëve është zbuluar te njerëzit për herë të parë, në provincën qendrore të Kinës, Henan.
Djali katërvjeçar i infektuar kishte qenë në kontakt me pula dhe sorra të rritura në shtëpinë e tij, sipas raporteve nga Komisioni Kombëtar i Shëndetit i Kinës.
Gripi i shpendëve, siç njihet zakonisht, është një sëmundje virale shumë ngjitëse, me raportet e para të rasteve njerëzore në vitet ’90.
Disa lloje të gripit të shpendëve, si për shembull, me H3N8 tani, u janë transmetuar njerëzve, por kjo është aktualisht shumë e rrallë dhe zakonisht ndodh pas kontaktit shumë të ngushtë me zogjtë ose kafshët e infektuara.
Viruset H3N8 qarkullojnë gjerësisht te zogjtë dhe kuajt dhe janë zbuluar edhe te qentë në Amerikën e Veriut.
“Shpesh shohim që një virus të përhapet te njeriu dhe më pas të mos përhapet më tej, kështu që një rast i vetëm nuk është shkak për shqetësim të madh”, tha Peter Horby, profesor i sëmundjeve infektive në Universitetin e Oksfordit.
“Nuk ka asnjë arsye për të menduar se do të shkojë më tej”, tha profesori Paul Digard nga Universiteti i Edinburgut, duke shtuar se autoritetet kineze nuk kishin raportuar ndonjë sëmundje në kontaktet e menjëhershme të djalit të infektuar.
Sidoqoftë, Horby dhe ekspertë të tjerë të sëmundjeve, thanë se transmetimi i përhapur dhe numri rekord i shpërthimeve të gripit të shpendëve në zogj në Mbretërinë e Bashkuar, ShBA dhe Evropë këtë vit ishte një shkak shqetësimi, pasi rriti mundësinë që viruset e shpendëve të përzihen dhe të ndryshojnë dhe të infektohen njerëzit.
Marius Gilbert, një epidemiolog në Université Libre de Bruxelles në Belgjikë, tha se një virus i ri duhet të shikohet gjithmonë me shumë kujdes, pasi mund të ketë kapacitet të paparashikueshëm për sa i përket transmetimit dhe virulencës në popullatën njerëzore.
Dr. John McCauley, nga qendra bashkëpunuese e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha se rasti ishte “i pazakontë” dhe po hetohej nga OBSh-ja dhe homologët e saj në Organizatën e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë.