Venhar Salihu, kryetari i sapozgjedhur i Gjykatës Themelore në Gjilan

E publikuar: 20/04/2022 15:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këshilli Gjyqësor i Kosovës nën udhëheqjen e Kryesuesit, Albert Zogaj, ka mbajtur mbledhjen e jashtëzakonshme të 284-të, me ç’rast një nga pikat e rendit të ditës është përzgjedhja dhe emërimi i Kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan.

Si fillim në këtë mbledhje është bërë edhe votimi për kryetarin e ri të Gjykatës Themelore në Gjilan.

Nga ky votim rezultoi se kryetari i ri i Gjykatës Themelore në Gjilani tani e tutje është gjykatësi Venhar Salihu, transmeton lajmi.net.

Salihu është pjesë e gjyqësorit në Gjilan prej shumë vitesh, ndërsa i njëjti arriti të marrë shumicën e votave nga anëtarët e komisionit.

Mandati i tij do të fillojë që sot ndërsa është mandat 5 vjeçar.

Në garë përpos Venhar Salihut ishin edhe: Agim Ademi, Florije Qerimi dhe Veli Kryeziu.

Gjykata Themelore në Gjilan për disa vite është drejtuar nga Ramiz Azizi.

Venhar Salihu, është gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Civil të Gjykatës Themelore të Gjilanit. Salihu ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 2006, kurse Provimin e Jurisprudencës e kreu në vitin 2012/13.

Nga janari i vitit 2006 deri në maj të vitit 2008 ai ushtroi detyrën e ass. të avokati në Zyre të Avokatisë, ndërkaq nga maji i vitit 2008 deri në maj të vitit 2015 ka ushtruar detyrën e Asistentit të Lartë Ligjor për Verifikim në Agjencinë Kosovare të Pronës (KPA). Më 19.05.2015 është emëruar si gjyqtarë në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Civil dhe ende vazhdon ta kryej këtë detyrë.

Gjyqtari Salihu njëherë është shef i Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Gjilan.