Gabriel Escobar
I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabiel Escobar, vlerësoi se destabiliteti i shkaktuar nga lufta në Ukrainë nuk do të zhvendoset në rajonin.
Në një intervistë për N1 Kroaci, Escobar theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor janë zotuar që të mos lejojnë një gjë të tillë.
“Dhe kjo është ajo që kanë premtuar të gjitha vendet, duke përfshirë Serbinë, Bosnjën dhe Hercegovinën… Në Ballkanin Perëndimor, ne në fakt jemi të fokusuar në zgjidhjen e problemit. Edhe pse shumë vende në Ballkanin Perëndimor janë të cenueshme, unë mendoj se vemendja e BE-së dhe SHBA-së do të ndihmojë që rajoni të izolohet nga të gjithë faktorët destabilizues. Duke pasur parasysh këtë, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë premtuar të mbështesin përpjekjet humanitare dhe po e bëjnë këtë, dhe të gjithë kanë votuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për të dënuar pushtimin rus. Prandaj mendoj se ky rajon do të japë një kontribut pozitiv në stabilizimin e kësaj krize”, tha Escobar.
I pyetur nëse politika e Serbisë duhet të jetë më vendimtare në përcaktimin nëse anon nga Lindja apo Perëndimi, Escobar u përgjigj se kjo është një pyetje për popullin serb.
“Por mund t’ju them se anëtarësimi në BE është një synim strategjik i Serbisë. Në shumë mënyra, ajo po bën përparim në atë drejtim. Këtë vit ata hapën kapituj të rinj negociues, bënë përparim. Duhet të them se Serbia është një vend evropian, historikisht, kulturalisht. Prandaj mendoj se Serbia është gjithnjë e më e interesuar për marrëdhëniet e saj me Evropën, sesa me Lindjen”, tha Escobar.
Ai shtoi se procesi i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të përshpejtohet dhe vlerësoi se do të kontribuojë në stabilitet.
“Të gjitha vendet që iu bashkuan BE-së janë bërë më demokratike, më të qëndrueshme dhe të begata, pothuajse pa asnjë kosto për të tjerët. Kjo është pikërisht ajo që duam për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë. Shpresoj që të gjitha këto vende do të kenë një rrugë të qartë drejt Evropës, e do të trimëroja edhe miqtë tonë evropian që të japin një sinjal i qartë se ata janë të mirëpritur”, tha Escobar.
Escobar shtoi se suksesi i Kroacisë në drejtim të integrimit euroatlantik mund të jetë një model i mirë për vendet në rajon, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
“Unë i kërkova qeverisë kroate mbështetje dhe ndihmë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për të gjetur rrugën e tyre drejt Evropës. Dhe mora premtimin e Kroacisë se do të ndihmojë për t’i ndihmuar”, tha Escobar.