Kërkoi kredi për skemat sociale, Hoti e bën për pesë pare Ministrin Murati

E publikuar: 06/04/2022 23:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-kryeministri Avdullah Hoti dhe Ministri i Financave Hekuran Murati, kanë debatuar sot në komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere për skemat sociale.

Hoti kritikoi Muratin, i cili ka kërkuar 15 milionë euro kredi.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar tri marrëveshje ndërkombëtare, këtë të mërkurë. Në këtë mbledhje ministri i financave, Hekuran Murati, i lajmëroi anëtarët e komisionit përkatës që do të marrë kredi disa milionëshe nga Banka Botërore, me të cilat para, ndër të tjera do të bëhet reformimi i skemave sociale.

Kjo pikë u kritikua nga deputetët e opozitës, përkatësisht nga ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti.

Ky i fundit tha se asnjëherë në asnjë Qeveri nuk ka ardhur kërkesë për të marrë kredi për skema sociale.

“Çfarë Ministri i Financave je kur lëvdohesh publikisht për pozicion të mirë fiskal për shkak të rritjes së të hyrave etj etj dhe kërkon 15 milionë euro kredi me përmirësuar bilancin tregtar”, e pyeti Hoti, shefin e kuletës së shtetit, Hekuran Muratin.

“Kjo kredi mbulon vetëm pilotimin, pjesën e parë të mbështetjes derisa të vihet në funksion tërë sistemi”, iu përgjigj Murati.