Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një intervistë në emisionin Prime Time në Kanal10, ka folur rreth asaj se pse nuk është pranuar në takim nga ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.
Haxhiu ka kërkuar që të lihen anash konfliktet e pasluftës me dy ish-kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Por, e ka cilësuar si të paarsyeshme refuzimin e takimit nga dy ish-krerët e UÇK-së, Thaçi e Veseli.
Haxhiu ka thënë se arsye e refuzimit të ftesës për takim, pikërisht mund të kenë qenë problemet dhe deklaratat e mëhershme rreth tyre.
Ndërkohë, ministrja Haxhiu ka folur edhe për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.
Ajo ka kërkuar që ky proces të kthehet në pikën zero.
Sipas saj, Këshilli Prokurorial nuk është shprehur i interesuar që të zgjedhë një kryeprokuror me integritet moral dhe të guximshëm.
Ndërkaq, ministrja Haxhiu ka folur edhe për dërgimin sërish të projekt-kodit civil në Kuvendin e Kosovës, ndërsa ka shprehur qëndrimin e saj edhe në lidhje me moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë.

















