Mot i keq ka përfshirë sot Shqipërinë, ku si pasojë janë plagosur dy të rinj në qytetin e Kuçovës dhe një 40-vjeçar në Dhërmi.
Dy ngjarje të rënda aksidentale kanë ndodhur si pasojë e stuhisë së erës në Kuçovë sot, ku janë lënduar një djalë 26 vjeç dhe një 17-vjeçare, të cilët ndodhen në Spitalin Rajonal Berat.
Djali i cili ishte duke punuar për montimin e një paneli diellor në shtëpinë e një të afërmi të tij, ka rënë nga soleta e shtëpisë nga era e fortë.
Rrëzimi nga një lartësi rreth tri metra i ka shkaktuar të riut nga fshati Tapi në rrethin e Kuçovës thyerje dhe shembje në të gjithë trupin.
“Më datë 31.03.2022, në fshatin Dhërmi, Himarë, duke punuar, ka rënë nga një objekt dykatësh, shtetasi K. H., 40 vjeç, banues në Korçë, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur rrethanat e ngjarjes”, ka njoftuar Policia.
Në Vlorë era e fortë ka riaktivizuar vatrën e zjarrit në pikën e grumbullimit të mbetjeve të qytetit të Vlorës.


















