Ministrja Haxhiu dërgon në Speciale letër me informacione rreth Kompensimit të Viktimave të Krimit

E publikuar: 19/03/2022 22:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka dorëzuar një letër në Dhomat e Specializuara të Gjykatës në Hagë. Letra në fjalë ka të bëjë me një kërkesë për informacione të cilën kryetarja e Trupit Gjykues në rastin e Salih Mustafës, Mappie Veldt – Foglia ia ka parashtruar ministrisë së Drejtësisë.

Një letër e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, po qëndron në sirtarët e kryegjyqtares në rastin e ish-pjesëtarit të UÇK-së të akuzuar për krime lufte, Salih Mustafa, shkruan lajmi.net.

Në të, Albulena Haxhiu i sqaron gjyqtares rregullativat ligjore që kanë të bëjnë me Fondin e Kompensimit të Viktimave, veprat penale të kompensueshme, kushtet për kompensim, llojet e kompensimit, kërkesën për kompensim, afatet si dhe vendim-marrjen nga Komisioni për kompensim.

Në letër-përgjigjen që mbanë nënshkrimin e ministres Haxhiu, specifikohen veprat penale të cilat mund të kompensohen në këtë rast, në të cilat përfshihen: vrasja, trafikimi me njerëz, dhunimi, keqpërdorimi seksual i fëmijëve, si dhe veprat penale që bien në përkufizimin e dhunës në familje sipas Ligjit për Mbrojtjen nga dhuna në familje.

Haxhiu në letrën e saj të cilën e ka parë lajmi.net citon një nen ku thuhet se Komisioni mund të shqyrtojë dhe vendosë për kërkesat e pranuara nga personat të cilët pretendojnë se janë viktima të veprave tjera të dhunshme, të cilat për shkak të natyrës dhe pasojës mund të arsyetojnë kompensimin.

Në këtë kontekst, ministrja në letrën e saj ka thënë se lista e lartëpërmendur e veprave penale për të cilat mund të kërkohet kompensim nuk është absolute, dhe se me një vendim të Komisionit mund të kompensohen edhe personat të cilët janë viktima të veprave tjera penale.

Haxhiu ia ka nënvizuar gjyqtares edhe llojet e kompensimeve, ku përfshihen ato nga lëndimet e rënda fizike, çrregullimet e shëndetit mendor, humbja e aftësisë për punë, shpenzimet mjekësore, shpenzimet e varrimit, dëmet për pajisjet mjekësore të shkatërruara si dhe shpenzimet procedurale.

Tutje, ministrja ia ka sqaruar gjyqtares së Speciales se Fondi për Kompensimin e Viktimave i përcaktuar me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës është i vetmi fond për kompensimin e viktimave të krimit, ndërkaq që Komisioni Qeveritar për Kompensim të Viktimave të Krimit është mekanizmi që shqyrton dhe vendos për kërkesat e mundshme.

Haxhiu sqaron se viktima e pretenduar, kërkesën duhet ta dorëzojë personalisht në Ministrinë e Drejtësisë.

Komisioni i përmendur nga Haxhiu merr vendim brenda 90 ditës për një kërkesë të tillë.

Letra në fjalë e Haxhiut, e cila është përgjigje në kërkesën e gjyqtares Foglia, i është dërguar edhe kryeministrit të vendit, Albin Kurti.

Në hyrje të letrës, Haxhiu bën të ditur se përgjigja e saj vjen pas kërkeses së kryegjyqtares në fjalë për informacione në lidhje me çështjen në fjalë.

Ndryshe, aktualisht në Gjykatën Speciale janë gjithësej tri gjykime për krime lufte dhe një për administrim të drejtësisë.

Në një rast të vetëm po akuzohen ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi.

Në raste të ndara për krime lufte po akuzohen edhe Salih Mustafa si dhe Pjetër Shala.

Ndërkaq, për vepra penale për administrim të drejtësisë po akuzohen Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati.

Letra e plotë:

https://lajmi.net/wp-content/uploads/2022/03/Letra-Albulena-Haxhiu.pdf