Kosova sot pati vizitën më të rëndësishme në 3 vjetët e fundit (VIDEO)

E publikuar: 18/03/2022 20:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një delegacion i lartë amerikan i prirë nga Elizabeth Sharewood-Randall, këshilltare për Siguri Kombëtare e Presidentit Joe Biden, qëndroi në Kosovë.

Në takime të ndara, mysafirët nga Shtëpia e Bardhë i priti presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, njofton Klan Kosova.

Deklarata pas takimit nuk pati. Presidentja përmes kumtesës njoftoi se marrëdhëniet politike, ushtarake e ekonomike Kosovë-SHBA do të forcohen edhe më.

Këto i quajti ekzistenciale e strategjike.

Klan Kosova, mëson se në veçanti u folën çështjet e forcimit të sigurisë kombëtare të Kosovës, tani pas luftës Rusi-Ukrainë si dhe aspiratat e republikës së vogël për anëtarësim në NATO.

U dha edhe këshilla amerikane që autoritetet në Prishtinë t’u mundësojnë votimet për zgjedhjet e Serbisë më 3 prill.

Kjo, sipas një modeli të përshtatshëm e të pranueshëm për palën kosovare e atë serbe.

Ardhja e Elizabeth Sharewood-Randall dhe tjerëve zyrtarë amerikan, është më e madhja e këtij niveli që ka ndodhur në Kosovë, në tre vitet e fundit.

Më 27 dhe 28 shkurt 2019, këtu kishin qëndruar John Erath dhe Brad Berkley, atëbotë zyrtarë të lartë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Amerikës.