Nga: Ardhmerie Musliu
Kosova ka ligjin më të avancuarin në rajon, për barazinë gjinore. Mirëpo, burrat përsëri dominojnë gratë, pothuajse në të gjitha Institucionet Qendrore të Republikës së Kosovës, njëjtë sikurse edhe në ato Lokale.
Gratë, edhe pse me ligj të drejtat e tyre i kanë të garantuara, në praktikë shumë pak po i gëzojnë ato.
Gjendje e njëjtë është në pothuajse të gjitha komunat e Republikës, përfshirë këtu edhe komunën tonë, Gjilanin. Pozicione udhëheqëse në komunë mbajnë shumë pak gra.
Pabarazia gjinore në të gjitha segmentet
Pabarazia shihet edhe në asamblenë komunale; nga numri total i 35 asamblistëve, vetëm 12 janë gra – 34%, përderisa në fushata politike predikohet për barazi te plotë. Gjithashtu, prej numrit total të drejtorive në Komunë, nga numri total i 12 drejtorëve, vetëm 4 janë femra – 33% dhe të tjerët (😎 janë burra, e që i bie sa trefishi i grave. D.m.th. duke fillua nga Asambleja Komunale, tek qytetarët po përcillet një shembull i keq.
Se sa janë gratë të përfshira në vendimmarrje në komunën tonë, shihet edhe në Mjekësinë Familjare. Të punësuar janë gjithsej 282 individ; prej tyre, 90% janë gra dhe 10% burra, ndërsa Menaxhmenti i këtij institucioni përbëhet nga 70% Burra dhe 30% Gra.
Në Komunën e Gjilanit, gjithsej janë 24 Shkolla Fillore; nga 24 drejtorë të shkollave, në pozitën e Drejtorit të Shkollës është vetëm 1 Grua dhe nga 24 Zv. Drejtorë, vetëm 4 gra. E njëjta gjendje është edhe në shkollat e mesme. Gjithsej janë 8 Shkolla të Mesme në Komunën e Gjilanit; nga 8 drejtorë të shkollave, në pozitën e Drejtorit është vetëm 1 Grua. Nga ana tjetër, struktura gjinore e mësimdhënësve në këto shkolla është 70% Gra dhe 30% Burra.
Në Policinë e Gjilanit, gjithsej të punësuar janë 178 persona; prej tyre 132 (74%) janë Burra dhe 46 (26%) Gra, numër ky shumë i vogël i grave gëzojnë pozita udhëheqëse, siç janë pozitat e togerit, rreshterit, kapitenit, etj. Pozitat udhëheqëse pothuajse në tërësi i gëzojnë burrat.
Ndërmarrjet publike
Gjendje jo e mirë, sa i përket rolit të gruas në vendimmarrje kemi edhe në Sektorin e Ndërmarrjeve Publike. Po ashtu, kemi numër shumë të vogël të grave në pronësi të bizneseve private; edhe ato biznese të cilat janë në pronësi të grave, janë biznese shumë të vogla, zakonisht biznese nga të cilat mund të sigurohen të ardhura vetëm sa për të mbajtur familjet e tyre dhe pa ndonjë perspektivë zgjerimi të mëtutjeshëm.
Arsye kryesore për këtë është trashëgimia pronësore dhe rrjedhimisht qasja në kreditë biznesore nga bankat është e pamundur. Arsye tjera janë mungesa e mbështetjes nga komuna, mungesa e traditës së gruas në të bërit biznes, etj. Për gratë ndërmarrëse në zonat rurale as që bëhet fjalë në institucionet tona; janë totalisht të lëna anash dhe bizneset rastësore janë kryesisht nën udhëheqjen e burrave apo djemve të tyre.
Neglizhimi i skajshëm i deritanishëm, i gjysmës së popullatës së komunës sonë, d.m.th. grave, nuk është dëm i madh që po i shkaktohet vetëm grave por edhe komunës. Në këtë mënyrë, komuna jonë po privohet nga mundësia e përzgjedhjes dhe gjetjes së personave me dituri, shkollim e shkathtësi të ndryshme, nga gjysma tjetër e popullatës; d.m.th. për pozita udhëheqëse po përzgjedh vetëm nga njëra gjysmë, pjesë e së cilës janë burrat.
Që të arrihet cilësia e vërtet të cilën po e synojmë, pabarazitë duhet eliminuar sa më parë dhe t’i hapim dyert e zhvillimit profesional për të gjithë, pa dallim gjinie, feje, kombi, rase, etj.
Vetëm kështu do e zhvillojmë komunën!
Ju falemnderit!
Autorja është asambleiste nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Gjilan