Presidenti turk, Tayip Erdogan po vazhdon përpjekjet e tij për t’u pozicionuar si ndërmjetës midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe Perëndimit.
Siç raporton CNN, ai foli në telefon me presidentin amerikan, Joe Biden.
Sipas njoftimit nga Shtëpia e Bardhë, ata diskutuan “shqetësimin e tyre të përbashkët për pushtimin e paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga Rusia”.
“Ata ripohuan mbështetjen e tyre të fortë për qeverinë dhe popullin e Ukrainës, nënvizuan nevojën për një ndërprerje të menjëhershme të agresionit rus dhe mirëpritën përgjigjen e koordinuar ndërkombëtare ndaj krizës. Presidenti Biden shprehu vlerësimin për përpjekjet e Turqisë për të mbështetur një zgjidhje diplomatike të konfliktit, si dhe për angazhimet e fundit të Turqisë me liderët rajonalë që ndihmojnë në promovimin e paqes dhe stabilitetit”, thuhet në deklaratë.
Të dy diskutuan gjithashtu “mundësitë për të forcuar lidhjet dypalëshe”.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki e përshkroi thirrjen si “konstruktive” dhe “të gjatë”, duke thënë se ata folën për rreth një orë.
Ajo nuk pranoi të thoshte nëse ata diskutuan për aksesin në Detin e Zi.



















