Duke komentuar protestën e djeshme në Prishtinë, të organizuar në mbështetje të popullit të Ukrainës, kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve në Kosovë, Rada Trajkoviq, theksoi se përgjigja dhe pjesëmarrja e qytetarëve në këtë tubim ishte e dobët dhe se mungesa e solidaritetit me Ukrainën është pasojë e veprimeve të liderëve politik të Kosovës.
“Fjalë të forta dhe një përgjigje shumë e dobët ndaj protestës në Prishtinë në mbështetje të Ukrainës. Kamerat televizive tejkaluan të pranishmit. Liderët politikë të Kosovës po nxisin ndjenja antisllave dhe kjo mungesë e dukshme e solidaritetit me Ukrainën është pasojë e veprimeve të tyre,” ka shkruar Trajkoviq në Twitter.
Ndaj këtij komenti të Trajkoviq ka reaguar gazetari britanik, Tim Judah, duke i thënë se mbase dalja e vogël në tubim është si rezultat i vendimit të Ukrainës për të mos e njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.
“Me sa duket, fakti që për arsye të veta të dukshme (Krimenë dhe Donbas), Ukrania nuk e ka njohur Kosovën është gjithashtu një fakt i rëndësishëm?”, ka shkruar Judah.
Pas kësaj ka reaguar përsëri Trajkoviq duke i thënë Juhdas se “A je duke thënë që kosovarët s’duhet të kenë ndenja për vuajtjet e ukrainasve derisa shteti i tyre ta njohë Kosovën?”.
Judah është kundërpërgjigjur, duke thënë se nuk është çështja aty, por se thjesht po pyet nëse mosnjohja nga Ukraina është një nga arsyet.
Trajkoviq ka reaguar përsëri, duke thënë se përshtypja e saj si serbe e Kosovës për një dalje të vogël,vjen si rezultat i “promovimit të sentimentit anti-sllav nga elitat politike shqiptare”.
“Nëse arsyeja është me të vërtetë mungesa e njohjes, ndoshta qeveria e Kosovës duhet të paktën të përmbahet nga përpjekjet për të përfituar politikisht nga vuajtjet e Ukrainës”, ka shtuar tutje Trajkoviq.


















