Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se Rusia po synon ta rrënojë rrëfimin për Kosovën.
Çitaku tha në T7 se nëse rrënohet kjo atëherë do të vihet në pikëpyetje edhe themelet e shtetit tonë.
“Ne jemi produkt i rrëfimit. Epërsia që ka Kosova në raport me Serbinë është morale. Ne nuk jemi as më të mëdhenjtë në territor as me popullsie as si ekonomi. Pra ne kemi një epërsi morale. Rusia po synon që ta rrënojë duke e përdorur Kosovën këtë epërsi morale që në kemi, e që më pas do të mund të vinte në pikëpyetje vetë themelet dhe mënyrën e krijimit të shtetit tonë.
Mjafton ta lexoni vendimin e gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës…E tëra është e ndërtuar në rrëfimin tonë si komb, në vuajtjet që kemi pasur, në shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut. Pra është një rrëfim i gjatë. Pra nëse rrënohet ky rrëfim atëherë do të vihen në pikëpyetje gjithçka”, tha Çitaku.
Çitaku ka folur edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe për pozicionin e Partisë Demokratike të Kosovës rreth këtij procesi.
Ajo tha se PDK do t’i jap mbështetje të plotë Qeverisë, duke shtuar se Qeveria si barëse e procesit duhet të tregohet serioze.
Çitaku theksoi se Kosova nuk guxon ta bartë barrën e dështimit të dialogut me Serbinë.
“Qeveria e Kosovës, partitë politike të gjitha duhet të ulen bashkë. Kosova nuk duhet ta ketë synim ta bind Serbinë, sepse Serbinë nuk kemi me arritë me e bind asnjëherë. Ne duhet t’i bindim partnerët tanë ndërkombëtarë që ne jemi seriozë, që ne kemi një ofertë konkrete dhe që ne duam përmbylljen e këtij procesi. Kosova nuk guxon ta bartë barrën e dështimit të dialogut me Serbinë. Ne jemi në opozitë, ne do t’i japim mbështetje të plotë Qeverisë. Qeveria si bartëse e procesit duhet të tregohet serioze dhe proaktive”, ka thënë Çitaku.
Çitaku në dpt te Fidani ka thënë se tani është momenti i fundit kur Kosova duhet të kërkojë afate kohore, pasi sipas saj, dialogu nuk mund të vazhdojë në pafundësi.
Ajo shton se Kosova duhet të insistojë që procesi i dialogut të mbyllet me njohje reciproke e jo me ndonjë marrëveshje tjetër gjysmake.
Për këtë ajo thotë se Kosova e ka mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Kryeministri duhet të mësoj edhe nga aty ku ne kemi gabuar. Nuk mund të sillemi sikur dialogu ka filluar sot. Ne jemi në proces të dialogut mbi një dekad dhe është momenti i fundit që ne të kërkojmë afate kohore, sepse dialogu nuk mund të vazhdojë në pafundësi, kjo është e para, dhe e dyta, ne duhet të insistojmë, këtu e kemi mbështetjen e qartë të SHBA-së, për mbylljen e procesit me njohje reciproke, Kosova asesi nuk duhet të pranojë një marrëveshje tjetër gjysmake e cila nuk e përmbyll njëherë e përgjithmonë çështjen e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Çitaku.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës shtoi se, Qeveria Kurti nuk e ka problemin me opozitën sa i përket dialogut, por me vetveten dhe zotimet që i kanë dhënë ata vetë.
Çitaku tha se ende nuk e ka dëgjuar kryeministrin Albin Kurti të thotë se dialogu është i rëndësishëm dhe duhet të përmbyllet sa më shpejt.
“Qeveria duhet të tregohet serioze, e sinqertë dhe të tregojë se është e përkushtuar për këtë proces. Qeveria në këtë proces nuk e ka problem me opozitën, por ka problem me vetveten dhe zotimet që ata i kanë dhënë vetë. Si me thënë arkiva e lajmeve mund të them është kushtimisht armiku i tyre më i madh. Fillimisht kanë thënë dialogu nuk është prioritet i tyre fare, pastaj i 7-ti, i 11-ti.
Unë nuk e kam dëgjuar ende kryeministrin të thotë dialogu është i rëndësishëm dhe duhet ta përmbyllim sa më shpejt”, tha Çitaku.
Ajo kërkoi nga Qeveria që të tregohen të sinqertë e të drejtpërdrejt sa i përket dialogut me Serbinë, duke thënë se duhet të kërkojnë një afat të qartë kohor për përmbylljen e këtij procesi.
“Pra, ata duhet të tregohen të sinqertë, të drejtpërdrejt, të mësojnë nga gabimet tona, të kërkojnë afat të qartë kohor për përmbylljen e këtij procesi. Kryeministri kur shkon në Bruksel duhet ta dijë që edhe neve na ka mbrapa, këtu nuk ka opozitë. Ne do t’i qëndrojmë prapa, por ai është bartës i procesit, ai duhet të tregohet serioz e mbi të gjitha duhet të shkojë sa më parë në Washington”.