Pse u përdor xhami ndarës në takimin mes Kurtit dhe Payne?

E publikuar: 19/02/2022 10:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Albin Kurti ka pasur takime me disa përfaqësues nga vende të ndryshme, ndërkohë që po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, bashkë me presidenten Vjosa Osmani dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Por, diçka e pazakontë ra në sy teksa i pari i qeverisë kosovare u takua me ministren e Punëve të Jashtme të Australisë, Marise Payne – tavolina midis tyre ndahej nga një xham i tejdukshëm.
Nuk dihet nëse kjo ndarje ishte diçka e fiksuar në zyrën ku u mbajt takimi, por nëse ky xham mund të jetë përdorur si masë mbrojtëse ndaj COVID–19, del se as Kurti e as Payne nuk është se e kanë përdorur atë në takime me përfaqësues shtetesh tjera.

Në takimin e saj të sotëm me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ministrja austrsaliane, nuk ka kurrfarë distance, përveç se mban maskë. As Kurti, në takimet tjera nuk pati distancë në diskutimet.

Njëjtë veproi edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed bin Sulltan Al Nahyan.

Xhami ndarës mungonte edhe gjatë takimit të Kurtit me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, si dhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Jordanisë, Ayman Safadi.