Ekskluzivisht në “ZËRAT E LUFTËS”, nga Islam Morina, prodhim i Gazetës Infokus, njëri ndër celulat e para të UÇK-së, ka treguar me detaje se si tentoi të arratisej nga Gjyqi i Qarkut në Prishtinë dhe se si u plagos ai dhe një foshnje në krahët e së ëmës, kalimtare e rastit.
“Në ditën e katër nga burgu i Gjilanit më dërgojnë në Prishtinë, konkretisht në zyrën e prokurores hetuese Danica Marinkoviç, e njohur ndër shqiptarët si torturuese jashtëzakonisht e madhe kundër shqiptarëve, si një gjendje jo njerëzore në karakterin e saj kur e ke parasysh atë urrejtjen që e posedon në shpirt ai njeri. Në momentin kur jam vendosë në karrigen për të dhënë intervistën si mbas rregullave që kanë ekzistu në atë kohë është dashtë të m’i lironin duart prej prangave. Kur jam futur në gjykatë unë e kam vërejtur se Gjykata e Qarkut ka qenë e rrethuar me Njësi Speciale, me polici me numër të madh të policëve. Në luftë me vetveten ia kam shtru dy qëllime vetvetes.
Momenti i parë që më ofrohet unë do të bëjë përpjekje të arratisem për dy arsye nëse arratisem dhe shpëtoj gjallë, vendin e kam te shokët në mal të ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nëse vritem e di që po vritem pikërisht për t’i shpëtuar shokët, pikërisht 52 ushtarët e tjerë që kanë qenë në stërvitje në Shqipëri, e prej meje kërkohej që ti tregoja ata. Në rrethana të izolimit të tillë. Të rrethimit të asaj gjykate, aty ka qenë më shumë një akt vetëflijimi se sa një akt i shpresës se di të shpëtoj dhe do të shkoj te shokët. Kam tentuar, kam kërcyer nga dritarja me atë energji që e kisha, me atë pak fuqi që e kisha, më shumë punonte adrenalina se sa vetë forca dhe kam tentuar të iki, nga Tregu i Devizave, nga tregu i Gjelbër. Janë dëgjuar krisma të mëdha, zhurmë e madhe, tollovi e madhe, janë zhdukë njerëzia.
Kam dëgjuar që nga plumbat qorr është goditur një foshnje e një gruaje në krah dhe e kam ndjerë vetën keq për atë. Pastaj ka filluar rrethimi edhe pas tre plumbave që më kanë goditur më kanë rrëzuar dhe jam plandosë për tokë. Koha e ofrimit të ndihmës ka qenë bukur e gjatë. Për atë kohë deri sa kanë ardhë policia unë vazhdimisht në kuptimin verbal e kam fy oficerin dhe oficerët tjerë që rrinin me armë mbi mua, për të qenë i sinqertë me të vetmin motiv që le të më vrasin se ishte plaga në bosht kurrizor dhe nuk mund ta perceptoja jetën në një gjendje të tillë dhe nuk mund ta perceptoja jetën prapë nën tortura për me i nxjerrë 52 shokët të cilët kërkoheshin me çdo kusht për me i zbulu”, vazhdon rrëfimin rrëqethës nga momenti plagosjes së tij Ylber Topalli./Gazeta Infokus/



















