Stuhitë kanë lënë të vdekur katër persona dhe kanë shkaktuar kaos udhëtimesh nëpër Britani, Gjermani dhe Holandë.
Dy persona humbën jetën në Gjermani pasi pemët ranë mbi makinat e tyre, ndërsa dy të tjerë në Poloni kur erërat e forta rrëzuan një vinç ndërtimi.
Dhjetëra mijëra evropianë kanë mbetur pa energji elektrike pasi linjat e energjisë u rrëzuan.
Meteorologët kanë paralajmëruar se Evropa veriore mund të goditet nga një seri stuhish gjatë ditëve në vijim.
Asnjë tren në distanca të gjata nuk lëvizte në Gjermaninë veriore para mesditës së të enjtes, tha operatori hekurudhor Deutsche Bahn ndërsa stuhia Ylenia përfshiu rajonet e Hessen, Saksonisë dhe Brandenburgut jugor.
Aeroportet gjithashtu kanë anuluar shumë fluturime për shkak të erës së fortë, duke përfshirë aeroportin Berlin-Brandenburg dhe aeroportin më të madh gjerman në Frankfurt. Fluturimet në Hamburg dhe aeroportin Schiphol të Amsterdamit gjithashtu u anuluan.
Shërbimet gjermane të trageteve gjithashtu janë pezulluar përkohësisht në shumë vende, si Lübeck dhe Rostock.
Në kulmin e stuhisë, erërat me shpejtësi deri në 152 kilometra në orë ndodhën të mërkurën në Brocken, pika më e lartë e maleve Harz në Gjermaninë veriore.
Rreth 54 mijë familje mbetën pa energji elektrike gjatë natës në North Rhine-Westphalia, ndërsa në Bavari rreth 10 mijë njerëz u prekën nga ndërprerjet e energjisë elektrike, sipas operatorëve. Ndërprerjet shpesh shkaktoheshin nga rënia e pemëve në linjat e energjisë elektrike. Në shumicën e rasteve, furnizimi me energji u rivendos shpejt.
Në Republikën fqinje Çeke, më shumë se 300 mijë familje ishin pa energji elektrike të enjten për shkak të linjave të dëmtuara të energjisë.
Trenat u anuluan gjithashtu në Skoci të mërkurën mbrëma për shkak të stuhisë Dudley, e cila solli erëra deri në 130 kilometra në orë.
Rreth 19 mijë familje dhe biznese u privuan përkohësisht nga energjia elektrike në të gjithë Anglinë veriore.
Pasojat që lanë stuhitë në Evropën veriore
NGA KATEGORIA