Abc zbardh ngjarjen e pazakontë të ndodhur këtë të mërkurë në Kavajë.
Burime për gazetaren Xhensila Kodra, bëjnë me dije se protagonisti kryesor Astrit Pukameka në një kohë të shkurtër ka kryer dy plagosje në vende të ndryshme si dhe ka grabitur një karburant.
Në rrugë kryesore ai ka hasur kushëririn e ish-gruas së tij Bardhyl Petjan.
Për arsye ende të paqarta ai e ka qëlluar me thikë duke e lënë të plagosur. Pasi është zhvendosur pak metra më tutje ai ka ndaluar një taksi. Për të vazhduar më tej planin e tij, Astrit Pukamekaka marrë peng taksistin Arjan Shau. Ky i fundit nuk ka pranuar t’i bindet dhe ka tentuar që të largohet. Autori i ka bërë presion me thikë dhe e ka urdhëruar që ta çojë në destinacionin që ai dëshiron.
Gjatë rrugës ka hasur në kundërshtinë e taksistit por 45 vjeçari pasi ka arritur në pikën e karburantit e ka plagosur para se të zbresë. Ndalesa ishte në një karburant në fshatin Lekaj.
Pengun e la në taksi kurse vetë është futur te pika e karburantit. Me thikë në dorë u ka kërkuar lekët në të kundërt i ka kërcënuar se do t’i vërë flakën karburantit.
Nën kërcënimin se do t’i digjte karburantin, i mori shitësit 120.000 lekë të rinj. Fatmirësisht në këtë pikë ishin oficerët e policisë që ndërhynë duke parandaluar që ngjarja të kishte pasoja edhe më të rënda.
Astrit Pukameka akuzohet tashmë për veprat penale “Kanosja”, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Vjedhja me dhunë”, “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Njoftimi i policisë Kavajë / Policia parandalon një ngjarje të rëndë kriminale. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë pas marrjes se njoftimit se shtetasi A. P., në afërsi të mbikalimit në rrugë dytësore, ka kanosur se do digjte me benzinë dy persona, dhe ka plagosur me thikë shtetasin B. P., si dhe ka marrë peng shtetasin A. Sh. bashkë me mjetin e tij, organizuan punën me qëllim kapjen e këtij shtetasi.Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të këtij shtetasi, i cili në fshatin Lekaj, në sheshpushimin e një karburanti, ka plagosur me thikë drejtuesin e mjetit që kishte marrë peng, shtetasin A. Sh., dhe më pas i ka marrë me forcë xhiron ditore prej 120.000 lekë të rinj, shitësit të karburantit, dhe ka kërcënuar se do të digjte karburantin. Shërbimet e Policisë kanë arritur në kohë duke parandaluar dhe shmangur një ngjarje të rëndë kriminale me pasoja për jetën. Falë ndërhyrjes profesionale, kanë bërë të mundur neutralizimin dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit:– A. P., 45 vjeç, për veprat penale “Kanosja”, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Vjedhja me dhunë”, “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprime të mëtejshme.


















