I dërguari i kryeministrit britanik për tregti, Martin Vickers, ka vizituar gjatë ditës së sotme Kosovën.
Ai ka takuar krerët më të lartë të shtetit, duke filluar nga Presidentja Osmani, kryetari Kurti dhe kryekuvendari Konjufca.
Vickers në takimin me Presidenten e Republikës së Kosovës, Znj. Vjosa Osmani, u fokusua në marrëdhëniet mes dy vendeve, të cilat u vlerësuan të shkëlqyera me mundësi zgjerimi të mëtejshëm.
Presidentja Osmani vlerësoi ndihmën e Britanisë së Madhe për Kosovën, duke shpresuar për intensifikimin e saj të mëtejshëm.Presidentja Osmani ka shfaqur gatishmërinë për rritjen e bashkëpunimit në sferën e ekonomisë dhe mbrojtjes.
Vickers gjatë ditës së sotme u takua edhe me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, i cili theksoi se Mbretëria e Bashkuar është një partner i pazëvendësueshëm i Kosovës.
Kryeministri falënderoi të dërguarin për ndihmën dhe mbështetjen e dhënë nga Mbretëria e Bashkuar në të kaluarën, gjatë dhe pas luftës në Kosovë, si dhe para dhe pas shpalljes së pavarësisë.
Ndërsa Vickers vlerësoi veprimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në luftimin e korrupsionit dhe shtoi se kryeministri Johnson me emërimin e një të dërguari në Ballkanin Perëndimor po tregon se ne e marrim rajonin shumë seriozisht.
“Edhe pse nuk jemi më pjesë e Bashkimit Evropian, të jeni të sigurt se ne do të vazhdojmë t’u qëndrojmë afër dhe t’ju ndihmojmë”, theksoi ai.
Lidhur me mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik ndërmjet të dyja vendeve, kryeministri veçoi potencialin e mërgatës së madhe që ka Kosova në Mbretërinë e Bashkuar dhe që ata mund të jenë si urë lidhëse.
Vickers gjatë ditës u takua edhe me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.
Në këtë takim u diskutua për zhvillimet politike, bashkëpunimin ndërparlamentar, rritjen ekonomike dhe tregtinë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Vickers u takua edhe me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për Republikën e Kosovës Znj. Rozeta Hajdari, e cila falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për ndihmën dhe mbështetjen e dhënë në shtetndërtimin e Republikës së Kosovës.
Në prezantimin e prioriteteve të ministrisë dhe përparësive konkurruese që ka Kosova për afaristët britanik në kërkim të të bërit biznes në lokacione më të afërta gjeografike, Ministrja Hajdari shprehi gatishmërinë e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar në mes të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ajo theksoi zbatimin e Marrëveshjes Tregtare me Mbretërinë e Bashkuar përmes themelimit të komitetit ekonomik të përbashkët dhe rrjetëzimit në mes bizneseve kosovare dhe britanike, përfshirë dhe afaristet nga diaspora.


















