Ratifikohen dy marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë – Opozita e quan Muratin të papërgatitur

E publikuar: 16/02/2022 12:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar dy marrëveshjet ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, raporton Ekonomia Online.E para ka të bëjë për Sigurime Shoqërore në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.

Ndërsa e dyta është Projektligji nr.08/L-127 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e lehtësirave doganore dhe/ose të kontrollit të hyrjes/daljes së mallrave.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se dy marrëveshjet thellojnë bashkëpunimin me Shqipërinë.“Ky projektligj ka për qëllim mbrojtjen shoqërore. Qytetarët e Kosovës që kanë punuar në Shqipëri do të kenë të drejtë ta marrin pensionin në Kosovë.

Nga departamenti i buxhetit shuma është 126 mijë e 44 euro. Marrë parasysh këtë marrëveshje konsiderojmë që është hap tejet i rëndësishëm për punëkërkuesit. Shumë çështje teknike mund të adresohen me shkrim. Besoj do të ishte mirë t’i kishim sqarimet e nevojshme.

Marrë parasysh integrimin e tregjeve të punës më shumë kemi pasur kosovar që kanë punuar në Shqipëri sesa në Kosovë. Tek periudha e përfitimit është të mos kërkohet në mënyrë retroaktive. Çfarëdo kërkese ta konkretizoni”, tha Murati.Ndonëse i dhanë mbështetje në parim, deputetët e opozitës ngritën paqartësi për teknike për marrëveshjen për sigurime shoqërore me Shqipërinë.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, e konsideroi të papërgatitur për këtë temë ministrin Hekuran Murati. Ai tha se kjo pikë e rendit të ditës mund të shtyhet për mbledhjen e radhës.“Ne mbështesim këtë marrëveshje. Sa i përket legjislacionet në Kosovë a po e kuptojmë drejt që një shtetas i Shqipërisë i njihet pensioni në Kosovë. Me përjashtim të rasteve kjo marrëveshje do zbatohet për personat që kanë qenë subjekt i legjislacionit.

Ne mbështesim këto marrëveshje prapë se prapë. Nëse nuk jeni përgatitur e shtyjmë për mbledhje tjetër. Mos shtyhemi me fjalë se nuk ka kuptim. Nëse nuk jeni në gjendje, e shtyjmë në mbledhje tjetër ju nuk e dini përmbajtën e marrëveshjes. Marrëveshja është e rëndësisë së veçante dhe e mbështesim. Unë propozojë ta votojmë këtë marrëveshje”, tha Hoti.

Njëjtë si Hoti u shpreh edhe kolegu i tij nga PDK, Ferat Shala. Ai tha se dokumentacioni i marrëveshjes nuk është i punuar mirë, i paqartë dhe me gabime teknike.“Në tekstin e shkruar është edhe gjuha e komunikimit. Është çështje përmbajtjesore e marrëveshjes.

Duhet ta pranosh që ke sjellë dokument jo mirë të punuar. I tërë materiali është i paqartë me gabime teknike. Ligji është i rëndësishëm por jemi kundër mënyrës së punuarit të ligjit”, tha Shala.Të papërgatitur ministrin Murati e quajti edhe deputeti tjetër i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

“Për mu është shqetësuese që vini i papërgatitur. Mendoj që duhet të shtyhet për mbledhje të ardhshme kjo marrëveshje. Unë mbështes shqetësimet e zotëri Hotit. Ne jemi në parim të mbështetjes së kësaj marrëveshje, por është mirë të jepen sqarime nga ministri për këtë marrëveshje me Shqipërinë”, tha ai.