Ukraina raporton për sulme kibernetike nëpër ministri e banka

E publikuar: 15/02/2022 19:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës dhe dy banka kanë qenë shënjestër e sulmeve kibernetike të martën, raporton Reuters.

Sipas Qendrës së Sigurisë së Ukrainës uebfaqja e Ministrisë së Mbrojtjes është mbyllur shkaku i sulmeve.
Qendra e Ukrainës për Komunikim Strategjik dhe Siguri të Informacionit, që është pjesë e Ministrisë së Kulturës, nuk ka thënë se kush qëndron prapa sulmit, por në deklaratën e lëshuar lë të kuptohet se fajësohet Rusia.

“Nuk është për të përjashtuar se agresori ka përdorur taktika të pista, pasi planet e tij agresive nuk po funksionojnë në shkallën më të lartë”, është thënë nga Qendra.

Kievi ka fajësuar Moskën për sulme të ngjashme edhe në të kaluarën.

Një mesazh në faqen e Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës ka thënë se është duke u riparuar. Në Twitter, Ministria ka njoftuar se uebfaqja e saj me gjasë ka rënë viktimë e një sulmi kibernetik dhe se po punohet për të kthyer qasjen.

Oshadbank ka konfirmuar sulmin kibernetik, duke thënë se ka rezultuar me ngadalësim të sistemit. Po ashtu Qendra ka thënë se edhe përdoruesit e Privatbank kanë pasur probleme me pagesa dhe me aplikacionin e bankës.