Familjarë, zyrtarë shtetërorë e qytetarë kanë bërë nderime te pllaka përkujtimore të Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, në përvjetorin e 15-të të vrasjes së tyre në demonstratën e vitit 2007 nga policia rumune e UNMIK-ut, raporton Ekonomia Online.
Në këtë ceremoni përkujtimore ishin të pranishëm kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeparlamentari, Glauk Konjufca, ministra të kabinetit qeveritar e deputetë të Vetëvendosjes.Kryeministri Albin Kurti, kujtoi fjalët të cilët sipas tij ia tha ish-veprimtari i ndjerë, Adem Demaçi.Para të pranishmëve, Kurti tha se në 10 shkurt të atij viti për të disatën herë e shpallën hapur “testamentin e Vetëvendosjes”.“Në këtë shesh, baca Adem (Demaçi) në atë 10 shkurt të vitit 2007 deklaroi:
‘Kjo është rruga jonë, rruga e Kosovës’. Po kjo është rruga jonë, rruga e gjithë atyre që jetuan e ndërtuan dhe mbrojtën Kosovën me gjakun, djersen dhe rininë e tyre. Rruga jonë është e drejtë, Prishtina e ka këtë shesh e këtë rrugë, vendin e protestave e të gjitha kohërave të saj.
Është sheshi i saj historik. Edhe atë 10 shkurt për të disatën herë ne e shpallëm hapur testamentin që gjithkush ia shpallë vetvetes “testamentin e Vetëvendosjes”. Ne thamë se drejtësia nuk vjen nga jashtë, se kur drejtësia vjen nga jashtë, ajo thjeshtë është polici.
Kërkuam Vetëvendosje për popullin dhe kundërshtuam decentralizimin etnik”, ka thënë Kurti.Dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, derisa protestonin kundër negociatave të Kosovës me Serbinë dhe Pakos së Ahtisaarit, u vranë më 10 shkurt nga policia rumune e UNMIK-ut, 15 vjet më parë.


















