Katër zyrtarë të arrestuar nga aksion i Krimeve Ekonomike

E publikuar: 09/02/2022 18:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës, pas një aksioni të zhvilluar këtë të mërkurë në rajonin e Gjilanit dhe Kamenicës, ka arrestuar katër persona.

Nga ky aksion janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, tre zyrtarë dhe një pronar i një kompanie, të cilët dyshohet se kanë mashtruar me një procedurë tenderuese për një tender në vlerë prej 35 mijë eurove.
“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, konkretisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit në Gjilan, ka zhvilluar hetime lidhur me një tender furnizimi për shkolla në Kamenicë, ku të dyshuar ishin komisioni vlerësues i komunës dhe pronari i një kompanie, të cilët dyshohej se kanë mashtruar me një procedurë tenderuese për një tender me vlerë prej mbi 35 mijë euro”.

“Sot, me datën 09.02.2022, në cilësinë e të dyshuarve, janë intervistuar pronari i kompanisë dhe tre anëtarët e komisionit të përmendur më lart me iniciale. Në prezencën e avokatëve, sipas detyrës zyrtare dhe pas përfundimit të intervistave, katër të dyshuarit, me aktvendim të prokurorit të shtetit, janë ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejme,” thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Tutje thuhet se, gjatë hetimeve, janë siguruar dëshmi relevante se komisioni prej tre anëtarëve ka nënshkruar raportin e pranimit të mallit, pa ardhur malli, duke dëmtuar buxhetin e komunës, e duke i mundësuar operatorit ekonomik përfitim të kundërligjshëm për shumën e lartcekur.

“Me këto veprime, të dyshuarit me iniciale (P.J., I.Z. dhe F.D.) dyshohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa i dyshuari me iniciale (A.K.) pronar i kompanisë, dyshohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme në vlerë mbi 35 mijë euro për tenderin në fjalë, pasi që i njëjti nuk i është përmbajtur kontratës dhe deri tani nuk ka bërë furnizimin me mall, me çka dyshohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.