Qytetarët e irrituar nga shtrenjtimi i energjisë elektrike: Me 90 euro çka me pagu më përpara

E publikuar: 08/02/2022 16:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vendimi Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të energjisë elektrike ka irrituar qytetarët, të cilët thonë se do ta kenë të vështirë t’i paguajnë faturat me rritje, raporton EO.

Nga irritimi i tyre, disa kërkojnë “mbylljen e ZRRE-së”, e disa tjerë thonë se ky institucion duhet “të shkojë të operojë në Serbi”.Të intervistuar nga Ekonomia Online, thonë se këto çmimet e reja do të jenë të papërballueshme për shumicën e konsumatorëve.

“Katastrof, ski çka me thënë keq boll. Vështirë e kanë qytetarët kurrqysh. Të gjitha të zezat popullata me i hjek, me të vërtetë është vështirë. ZRRE-në e kisha hjek krejt, ja kisha ngjit drynin e i kisha thënë ec shko në Serbi atje me ta ki punë. Ashtu ashtu po ia falin do para, kështu le të shkojnë ZRRE me ta”, ka thënë aiE Faik Rusinovci, e ka quajtur problem rritjen e faturave të energjisë. Thotë se është pensionist e do ta ketë të vështirë pagesën e faturave.

“Shumë problem është energjia me u rrit. Na duhet me pas energji të mjaftueshme për Kosovën. Me pension jo kurrë, me pension kurrë nuk mundem me pagu, i marr 90 euro. Çka me pagu, a me pagu rrymën, a me pagu mbeturinat, a me pagu plot sene pa ndërpre. Unë nuk di se qysh do të mund të jetojnë, pa punë, problem”, u shpreh ai.

Kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike është edhe Ismet Gashi. Ai thotë se shumica e qytetarëve nuk do të munden ta përballojnë këtë rritje.

“Mirë nuk është, çfarë miri kjo, kushtet qeveria po i sheh populli në çfarë gjendje të mjerueshme jeton, ne jemi kundër të energjisë elektrike”, u shpreh ai.Ndërsa Arben Blakaj tha se rritja e energjisë elektrike vetëm për qytetarët është e tepërt. Kritika pati edhe për vendimin që bizneset të mos tarifohen në këtë rritje.

“Na jena populli më i varfër në Evropë edhe për neve është katastrofë. Me mujt disi me bë një zgjidhje tjetër më mirë kish qenë. Bizneset po falen po vetëm ne qytetarët që paguajmë taksa e që jemi taksapaguesit më të mëdhenj po dënohemi më së shumti”, tha ai.