Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, menjëherë pas lirimit, tha se është marrë peng.
“E para që mund të konstatoj është se unë kam qenë i marrur peng. Pra, unë jam marrë peng nga një polici, e cila është dirigjuar me udhëheqje politike dhe, pa urdhër të prokurorit, unë jam arrestuar”, tha Molliqaj në T7, duke treguar dokumentin e procesverbalit.
Për këtë ai ka paralajmëruar se do t’u shkruajnë ambasadave në vend.
“Për herë të parë një opozitar, një aktivit politik merret peng. Policia është politike në këtë rast sepse ka arrestuar pa urdhër-arrest”, thotë Molliqaj.
“Këto janë shkelje të mëdha. Paramendo në këtë vit Kosova me një qeveri që ka mbështetje popullore arreston kundërshtarët e vetë politikë vetëm me urdhër politik. Dhe s’po e them unë, prokurorja e ka thënë”, shpjegon ai.
“Ne si parti do tu shkruajmë të gjitha ambasadave, organizatave për të drejtat e njeriut dhe të gjitha adresave të tjera për të alarmuar se kemi të bëjmë me një pushtet që përdor policinë dhe arreston pa urdhra të prokurorisë dhe gjykatës”, tha ai.
Molliqaj u arrestua të martën në mbrëmje në oborrin e televizionit T7, ku ishte i ftuar për një intervistë televizive.
“Mua më kanë marrë vetëm, sepse më kanë kundërshtar politik”, tha ai.
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për t’i caktuar masën e paraburgimit Dardan Molliqajt dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraqitjes në stacion policor për një muaj.
Kryetari i PSD-së është arrestuar nën dyshimin se kreu veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar”, pasi në protestën kundër shtrenjtimit të rrymës, që u organizua nga partia e tij, ai kishte goditur një zyrtar policor.

















