Demantohet Gjykata e Prishtinës, për Sveçlën është lëshuar urdhërarrest

E publikuar: 03/02/2022 19:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Redaksia e “Betimit për Drejtësi” ka reaguar ndaj siç shkruajnë deklaratës së pavërtetë të gjykatësit Eroll Gashi, i cili sot demantoi lajmin se Gjykata ka urdhëruar të sillet me forcë në seancë, të publikuar nga kjo redaksi.

Betimi për Drejtësi në reagimin e tyre ka thënë se deklaratat që Eroll Gashi ka dhënë sot në media janë tërësisht të pavërteta. Mediumi gjithashtu ka publikuar dëshmi të procesverbalit të seancës dhe audioincizimit.

“Sipas procesverbalit të kësaj seance, ku ishte i akuzuar Xhelal Sfeçla dhe të tjerët, i cili është përpiluar nga vetë gjykatësi Eroll Gashi, thuhet se “Nuk prezanton i pandehuri Xhelal Sfeçla, edhe pse i njëjti është ftuar në mënyrë të rregulltë, mirëpo mungesën e tij nuk e arsyeton”.

Tutje në këtë procesverbal, potencohet edhe për të pandehurit, të cilët nuk janë ftuar në mënyrë të rregulltë. Po në këtë procerverbal, gjykatësi Gashi ka konstatuar se: “Palët të cilat janë ftuar në mënyrë të rregulltë dhe nuk janë prezantuar në seancë, gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim”.

Ndërsa, vetëm për palët, për të cilat është konstatuar se nuk janë ftuar në mënyrë të rregulltë, gjykata ka vendosur të bëjë konstatimin e tyre”, shkruhet në reagimin e tyre.

Tutje mediumi shkruan se deklarata e gjykatësit Gashi se urdhëresa për sjellje me detyrim do të lëshohet vetëm nëse të pandehurit nuk paraqiten në seancën e radhës është bërë vetëm në media, por jo në seancën e sotme.

“Për më tepër, secila fjalë e raportit të publikuar në “Betimi për Drejtësi”, korrespondon në përpikmëri me të gjitha detajet e zhvillimeve në këtë seancë gjyqësore, duke cituar në mënyrë korrekte dhe profesionale deklarimet e gjykatësit Eroll Gashi. Të gjitha deklarimet e tij përputhen plotësisht me audioincizimin e kësaj seance si dhe me vetë procesverbalin e përpiluar nga ky gjykatës, i cili iu është shpërndarë palëve në procedurë”, shkruhet tutje.

Redaksia e Betimit për drejtësi ka shtuar se e ka të paqartë mënyrën se si ka vepruar gjykatësi Eroll Gashi.

“Përfundimisht, redaksia “Betimi për Drejtësi” e ka të paqartë reagimin e gjykatësit Eroll Gashi dhe të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në lidhje me një të vërtetë të pohuar nga goja e këtij gjykatësi në prezencë të publikut në gjykatore dhe të konstatuar në letër, përkatësisht në procesverbal si dhe të dëshmuar përmes provës audio, ku dëgjohet në tërësi deklarimi i gjykatësit Gashi, i cili thotë pikërisht atë që është raportuar nga “Betimi për Drejtësi” që dëshmon të kundërtën e asaj për të cilën ka reaguar”.

“Redaksia shpreh habinë se si gjykatësi në këtë rast ka ndërruar qëndrimin përmes deklarimeve në media, në kundërshtim me të vërtetën, e cila dëshmohet përmes procesverbalit dhe audioincizimit, duke lajthitur publikun për qëllime të panjohura për redaksinë”, përfundon reagimi i Betimit për Drejtësi.


Betimi për drejtësi në reagimin e tyre ka bashkangjitur edhe procesrverbalin e seancës së përpiluar nga gjykatësi Gashi.
“I pandehuri XH.S.(i.e Xhelal Sfeçla) nuk ka pasur urdhëresë për sjellje me detyrim, i njëjti ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt dhe gjithashtu nuk është lëshuar asnjë urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj tij për seancën e radhës”, shkruhet ndër të tjera në procesverbalin e publikuar nga Betimi për Drejtësi.