Mediat e huaja: Emisarët i kërkuan Kosovës implementimin e marrëveshjes së Asociacionit

E publikuar: 02/02/2022 21:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vizita e emisarëve Gabriel Escobar dhe Mirsolav Lajçak në Kosovë, është bërë lajm edhe në mediat e huaja.

Mediume prestigjioze si “Reuters” dhe “Washington Post” raportojnë se, diplomatët e huaj i kërkuan Kosovës që ta respektojë marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Washington Post” e “Reuters” shkruajnë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka kundërshtuar këtë marrëveshje, duke thënë se ajo minon sovranitetin e vendit, dhe u jep autonomi të gjerë serbëve që përbëjnë pesë për qind të popullsisë.

Kjo deklaratë e Kurtit ka ardhur pikërisht pas bisedimeve me përfaqësuesin amerikan, Gabriel Escobar dhe atë evropian, Mirsollav Lajçak.

Këto media potencojnë faktin se Escobar ka bërë thirrje që marrëveshja për komunat serbe të zbatohet, duke thënë se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës janë të garantuara.

Sa i përket Lajçak, ky i fundit u ka bërë thirrje autoriteteve kosovare që të mos frikësohen.

“Mos kini frikë nga diçka që nuk ekziston dhe askush nuk do t’ua imponojë. Jini të sigurt në vetvete, të vetëdijshëm për faktin se ju jeni bashkudhëheqës në këtë proces dhe jeni partnerë të barabartë”, ka deklaruar Lajçak.

Theksojmë se takimi i fundit dy kryeministrave Kosovë-Serbi, është zhvilluar në korrik të vitit që lamë pasë.