Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, të mërkurën, e ka dërguar në procedurë ndërmjetësimi lëndën ndaj Fatbardh Prekorogjës dhe E.M, të cilët akuzohen se në prill të 2020-ës, në Busavatë të Kamenicës, në pronën e të dëmtuarës D.S, kanë prerë një lis, i cili gjatë rrëzimit e kishte goditur një shtyllë elekrtike të drurit, duke e këputur përgjysmë.
Dërgimi i lëndës në ndërmjetësim, është vendosur nga gjykatësi Sadri Krasniqi, pas propozimit nga të akuzuarit, si dhe me pëlqimin e të dëmtuarës, raporton “Betimi për Drejtësi”.Këtë propozim nuk e ka kundërshtuar prokurorja Huma Jetishi dhe më pas, gjykatësi Sadri Krasniqi mori aktvendim, me anë të së cilit këtë rast penal do ta dërgojë në Qendrën e Ndërmjetësimit në Gjilan.
“Nëse brenda afatit ligjor nuk kemi ndonjë konfirmim për procedurën e ndërmjetësimit, atëherë gjykata do të caktojë shqyrtimin gjyqësor”, deklaroi gjykatësi Krasniqi.Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, më 19 maj 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj F.P dhe E.M, me arsyetimin se ata më 4 prill 2020,
në Busavatë të Kamenicës, te vendi i quajtur “Steza”, në pronë të dëmtuarës D.S, me dashje dhe me veprimet e tyre të kundërligjshme, kanë asgjësuar-dëmtuar, kanë prerë një lis, i cili gjatë rrëzimit e kishte goditur një shtyllë elekrtike të drurit duke e këputur përgjysmë dhe në këtë mënyrë, të akuzuarit me veprimet e tyre, të dëmtuarës i shkaktojnë dëm material në vlerë të papërcaktuar.
Me këtë, F.P dhe E.M akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”,
nga neni 321, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vjet /BetimipërDrejtësiShënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
















