16-vjeçarja nga Kosova, Argjenda Aliu, këtë javë ka marrë shumë vëmendje pas performancës së saj në “The Voice of Finland”, ku bindi katër anëtarët e jurisë të kthehen për interpretimin e saj. Se si i ka përjetuar këngëtarja këto emocione dhe cila janë planet e saj të mëtejshme e ndjekim materialin në vazhdim.
Argjenda Aliu nga Kosova me zërin e saj dhuroi një performancë të veçantë në “The Voice of Finland”. Me interpretimin e këngës “Yours”, ajo bindi katër anëtarët e jurisë së këtij audicioni të njohur muzikor.
Në skenë ajo është munduar t’i luftojë emocionet dhe të paraqitet sa më denjësisht.
Argjenda qysh si fëmijë ishte marrë me muzikë e këngën e ka kënduar me gjithë zemër. Pas fazës së parë, ajo synon finalen e pas saj ëndërron karrierën e Dua Lipës e Rita Orës.
“Unë besoj në talentin tim, si dhuratë që e kam nga Zoti. Shpresoj të arrij deri në finale dhe t’i bëj të gjithë shqiptarët krenarë, sepse kjo është ëndrra ime. Dua të bëhem si Dua Lipa dhe Rita Ora”, ka thënë ajo për KTV.
Argjenda është e lindur në Finlandë, por lidhja e saj me Kosovën dhe gjyshërit vazhdon të jetë shumë e fuqishme.
Këngëtarja 16-vjeçare deri tani veten e ka sfiduar me interpretimin e “cover”-ave të këngëve më të njohura. Kurse, këto ditë përkrahja e madhe edhe nga shqiptarët nuk ka munguar.