Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Fjolla Ujkani ka reaguar në lidhje me deklarimin e saj rreth videove të profesorit Lulzim Paci.
Ajo i kërkoi falje Pacit, teksa shtoi se një numër i konsiderueshëm i atyre që kanë reaguar, sipas Ujkanit, e kanë shfrytëzuar për sulme politike.
“E kuptoj që një pjesë e njerëzve kanë reaguar me qëllim të mirë, mirëpo janë një numër i konsiderueshëm i tyre, që e kanë shfrytëzuar reagimin tim për sulme politike e qëllimkëqija ndaj meje. Më vjen shumë keq nëse reagimi im e ka lënduar profesorin Paci, për çka edhe i kërkoj falje publike”, ka shkruar Ujkani.
Më tej, ajo tha se reagimi i saj ka pasur për qëllim mbrojtjen dhe mirëqenien e nxënësve si dhe mbrojtjen e kredibilitetit të shkollës, por jo lëndimin e dikujt tjetër.
“Unë, para se të jem deputete, kam qenë gjimnaziste e të njëjtës shkollë, pra kam reaguar si një ish-gjimnaziste. Prandaj, kërkoj nga të gjithë me mirëkuptim, që mos ta përdorin reagimin tim për sulme me qëllime politike kundër meje”, ka shkruar Ujkani.
Përndryshe, vallëzimet e tij të publikuara në rrjetin social “TikTok” bëri që profesori Lulzim Paci nga Vushtrria, të fitoj zemrat e mijëra përdoruesve të këtij rrjeti, madje mori edhe epitetin si “Profa i Tik Tok-ut”.
Por jo të gjithë e mirëpriten këtë veprim të profesorit Paci. Shumë kritika erdhën në adresë të tij, derisa ai duke folur për këtë gjë një intervistë, shpërtheu në lot.
Fjolla Ujkani i kërkon falje “profës së Tik Tok”: Reagimi im u shfrytëzua për sulme politike
NGA KATEGORIA