Sqarohet përsëri presidenca pas reagimeve nga publikimi i shpenzimeve presidenciale

E publikuar: 30/01/2022 20:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këshilltari për media në Presidencën e Republikës së Kosovës, Bekim Kupina, është sqaruar në relacion me shpenzimet e publikuara gjatë ditës së sotme, duke thënë se presidentja Vjosa Osmani për vitin 2021 ka realizuar 14 vizita zyrtare e bilaterale jashtë vendit.

“Në relacion me shpenzimet e publikuara më parë, një sqarim: Presidentja Vjosa Osmani vjet (2021) ka realizuar 14 vizita zyrtare e bilaterale jashtë vendit”.

“Shtetet që janë vizituar: Gjermania, Zvicra (dy vizita), ShBA-të (1 vizitë në Uashington, 2 në selinë e OKB-së), Austria, Sllovenia, Portugalia, Estonia, Kanadaja, Belgjika, Turqia dhe Japonia”.

Tutje, ai tha se presidenca nuk e ka pushuar për asnjë moment punën gjatë kohës së pandemisë.

“Presidenca e Kosovës nuk e ka pushuar asnjë çast punën edhe gjatë kohës së pandemisë, ndaj këto vizita të realizuara jashtë vendit dëshmojnë për një aktivitet të dendur në fushën e politikës së jashtme, si asnjëherë më parë në vitet e fundit”.

“Përmirësimi i imazhit të vendit dhe përpjekjet për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës janë çështje përtej kufizimeve kohore, ndaj Presidentja Osmani me përkushtim po e vazhdon aktivitetin e saj”.

“Përtej shpenzimeve, Kosova është përfituese qoftë nëpërmjet përfaqësimit, qoftë nëpërmjet vullnetit dhe energjisë së pandalshme të Presidentes që rrëfimin për të vërtetën, ambicien dhe perspektivën e shtetit ta përçojë kudo nëpër kancelaritë botërore”.