Propozimi për shtrenjtim të rrymës, qeveria akoma s’ka dërguar komentet e saj në ZRrE

E publikuar: 28/01/2022 16:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës ende s’ka dërguar komentet e saj në ZRrE sa i përket propozimit të këtij institucione për shtrenjtim të tarifave të energjisë elektrike kur kanë mbetur më pak se tre ditë kohë deri në afatin përfundimtar për dhënie të komenteve.

ZRrE përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se ka pranuar komente nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), KOSTT, KEDS dhe KESCO.

“ZRRE gjatë procesit të konsultimit publik, në kuadër të Shqyrtimin e Jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike, deri më tani ka pranuar komente nga palë të ndryshme të interesit, si: Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Operatorët e rregulluar KOSTT, KEDS dhe KESCO”, thuhet në njoftimin e ZRrE-së.

Kjo zyrë ka bërë të ditur se është duke pranuar komente edhe nga konsumatorët dhe të njëjta do t’i publikojë gjatë ditëve në vijim.

“Gjithashtu ZRRE është duke pranuar komente nga konsumatorët e energjisë elektrike, të cilat do t’i përmbledhë dhe do t’i publikojë gjatë ditëve në vijim”, thuhet tutje.

Kryeministri Kurti kishte deklaruar se qeveria e Ksoovës do t’i dërgojë komentet e saj lidhur me shqyrtimin e çmimit të rrymës. ZRrE më 17 janar ka publikuar raportin konsultativ të shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike. Palët e interesit kanë afat deri të hënën më 31 janar 2022 që t’i dërgojnë ato.

Kundërshtimi ndaj propozimit të ZRrE-së do të manifestohet nesër edhe përmes protestës së thirrur nga PSD-ja, të cilët u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe opozitës që t’i bashkohen në kundërshtimin për rritjen e çmimit të rrymës.