Kurti dhe Rizvanolli flasin me mërgimtarët ekspertë të energjisë për krizën me rrymë

E publikuar: 21/01/2022 22:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka mbajtur takim virtual me një grup studiuesish nga mërgata, të punësuar si hulumtues dhe profesorë në universitete e kompani evropiane në fushën e energjisë.

Alban Kuriqi, nga Universiteti i Lisbonës në Portugali, me ekspertizë në energjinë e ripërtërishme, Fitim Kryeziu, nga “Energinet”, operatori kombëtar në Danimarkë për transmetimin e energjisë elektrike dhe gazit natyror, Erald Pjetri, nga Qendra Kërkimore ABB në Poloni, Kristian Sevdari, kandidat për doktoratë në Universitetin Teknik të Danimarkës dhe Adhurim Haxhimusa, nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara të Grizons në Zvicër.

Kryeministria thotë se fushat e ekspertizës së tyre përbëjnë fusha të ndryshme përbrenda sektorit të energjisë. Nga ajo mbi politikat e energjisë, zhvillimin e qëndrueshëm, alternativat për maksimizimin e sistemit të energjisë, integrimin dhe menaxhimin e saj e deri te fusha mbi modelimin e sistemeve të përshtatshme.

“Ky bashkëbisedim ka ardhur si rrjedhojë e gjendjes së vështirë energjetike në vend. Përgjatë tij u diskutua për situatën aktuale të energjisë dhe për Strategjinë për Energji 2022-2030, që do të shërbejë si udhërrëfyes për zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme të energjisë. Kryeministri Kurti dhe ministrja Rizvanolli i falënderuan për shprehjen e gatishmërisë që të ndihmojnë dhe kontribuojnë me ekspertizën e tyre të vlefshme në tejkalimin e sfidave dhe drejt vizionit të vendit për fushën e energjisë”, thuhet në kumtesë.