Kurti Blinken
Kryeministrit Albin Kurti duket që i ka pëlqyer aq shumë letra që dje e ka marrë nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, sa sot e ka risjellë edhe një herë në Facebook.
Kurti është përkujdesur që këtë letër, të cilën e cilëson përmbajtësore dhe të mirë, ta publikojë edhe në gjuhën angleze edhe në atë shqipe, duke thënë se e njëjta vlen të rilexohet.
“Në anglisht dhe të përkthyer në shqip e keni letrën, të cilën e mora dje nga Sekretari Amerikan i Shtetit, z. Antony J. Blinken. Është përmbajtësore, e mirë dhe që vlen të rilexohet”, ka shkruar shefi i qeverisë kosovare, njofton Klankosova.tv.
Blinken, në këtë letër, e ka ripërsëritur edhe njëherë mbështetjen e SHBA-së për Kosovën, duke thënë se marrëdhënia ndërmjet dy shteteve është e rrënjosur në vlerat e përbashkëta demokratike dhe zotimin për Kosovën sovrane dhe të pavarur.
Në letrën drejtuar Kurtit, Blinken thotë se shteti i tij shpreson në lidershipin personal të Kurtit për rikthimin e momentumit në procesin e dialogut, duke i mbështetur zotimet paraprake të Kosovës.