U mbyt nga kapuçi, zbulohet shkaku i vdekjes së 3-vjeçarit në kopshtin në Fier

E publikuar: 07/01/2022 16:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia ka zbuluar shkakun e vdekjes së fëmijës 3-vjeçar në kopshtin “Flatrat e Dijes” në Fier. Abcnews.al mëson se fëmija është mbytur në momentin kur është zgjatur për të marrë një veshje në varësen e rrobave, në të cilën ka ngecur kapuçi i xhupit.

Sipas policisë, fëmija është rrëzuar në këtë moment, duke u mbytur prej xhupit.

Sipas burimeve nga spitali, fëmijës i janë konstatuar shenja në fyt dhe në momentin që ai është dërguar nga edukatoret në spital nuk reagonte.

“Në orën 13:00, në një kopsht privat në qytetin e Fierit, ka ndërruar jetë një fëmijë 3 vjeç. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes së fëmijës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kurse daja i fëmijës, që humbi jetën mesditën e sotme, kërkon drejtësi për humbjen e nipit.

Në një prononcim për abcnews.al daja thekson se, si çdo mëngjes, fëmija është dërguar në kopsht dhe në mesditë i kanë marrë në telefon dhe u kanë thënë se fëmija nuk është mirë.

Ndërkohë, sapo ka mbërritur në urgjencën e spitalit, ka folur me mjekun që kishte ndjekur rastin dhe ai i kishte pohuar se fëmija kishte shkuar pa shenja jete dhe me një shenjë në fyt.

“E kemi dërguar në mëngjes në kopsht fëmijën dhe vetëm se marrim lajmin se djali është keq. Kur shkuam në urgjencë, kam takuar doktorin, që ishte munduar ta kthente në jetë djalin dhe më tha se fëmija i kishte shkuar pa shenja jete. Ndër të tjera, më tha se kishte një shenjë në grykë. Duam drejtësi për këtë”, ka thënë daja./Abcnews.al/