Maliqi: Vizita e Osmanit dhe reagimet mund të kenë ndryshuar qëndrimin e SHBA-së për ftesën e Kosovës

E publikuar: 13/11/2021 00:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Agon Maliqi, aktivist i shoqërisë civile, thotë se reagimet e shumta, letra e drejtuar nga ta për Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe mbase edhe vizita e presidentes Vjosa Osmani në SHBA kanë ndikuar në ndërrimin e qëndrimit të SHBA-së për të ftuar Kosovën në Samitin e Demokracisë.

Megjithatë, kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, njofton Klan Kosova.

“Në SHBA ka qenë edhe presidentja Osmani dhe takimin e nivelit më të lartë që ka pasë ishte me nënsekretaren e Shtetit Victoria Nuland, e cila mban një pozitë relativisht të lartë në hierarkinë e Departamentit të Shtetit. Sipas deklaratës, aty është diskutuar për tri çështje; sundimi i ligjit, energjia dhe dialogu. Energjia vlen të theksohet, por nuk dihet se çka kanë mundur të bisedojnë, megjithatë mund të kenë qenë zhvillimet dhe zërat e ndryshëm që kanë ardhur nga shoqëria civile kanë bërë që SHBA të reflektojë dhe të thonë që ndoshta është më e përshtatshme që të përfshijë Kosovën dhe Seribnë e kanë parë të arsyeshme të ndryshojnë qëndrim për të krijuar njëfarë dinamike të re në dialog”.

Maliqi në Edicionin Special tha se i mbetet Osmanit të tregojë se cila kanë agjenda dhe çka kanë diskutuar.

Ndërkaq, për letrën e dërguar, Maliqi tha se mendon se ajo është shqyrtuar dhe lexuar.

“Duket se ka pasë një reflektim rreth kësaj çështje që ka shkaktuar një lloj reflektimi. Shumë nga mbështetësit e Kosovës që e kanë ngritur këtë çështje e kanë shpërndarë letrën tonë, sepse argumentet tona besoj kanë qenë të besueshme dhe bindëse”.

“Ka një varg burimesh të ndryshme që konfirmojnë se është rishqyrtuar vendimi dhe është komunikuar diçka e tillë, por bash zyrtare nuk ka pa ardhur ftesa zyrtarisht. Ka media të ndryshme, përfshirë edhe të Amerikës dhe joformalisht nga ajo që kam dëgjuar unë ka një lëvizje që ndoshta pritet të finalizohet”.

Maliqi mendon se lëvizja mund të ndodhë edhe për shkak të kontekstit aktual të zhvillimeve që po ndodhin në Ballkan.

“Mendoj që mosftesa ka qenë ndëshkuese, sepse vazhdon të jetë njëfarë iluzioni në Kosovë se ajo ka qenë një keqkuptim. Besoj që ekziston një lloj pakënaqësie në administratën amerikane mbi çështje të ndryshme dhe mbi të gjitha në qasjen e Kosovës për politikën e jashtme dhe të sigurisë. Ky trajtimi simetrik që po na bëjnë me Serbinë duhet të jetë shqetësues edhe në fusha ku Kosova qëndron më e mirë e që është demokracia”.