Mustafa: Kurti e Osmani jo që s’u ftuan në Uashington, por nuk iu dha mundësia të shihen as në ekranet e llaptopëve

E publikuar: 05/11/2021 21:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka folur pasi Kosova nuk u ftua në Samitin e Demokracisë të presidentit të SHBA-së, Joe Biden, duke thënë se presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, jo që s’u ftuan në Uashington, por nuk iu dha mundësia të shihen as në ekranet e llaptopëve

Mustafa në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se Kosova nuk e meriton të drejtohet nga ata që diskomunikohen nga SHBA-të.

Ai tha se lënia e Kosovës jashtë orbitës së SHBA-së në Samitin e Demokracisë është e rëndë, e sidomos, kur vendi ynë futet në një ‘shportë të izolimit së bashku me Bosnjë e Hercegovinën dhe Serbinë’.

“Jo që s’janë ftuar në Washington znj. Osmani dhe z. Kurti por as në një takim virtual nuk iu është dhënë mundësia të shihen në rrethin e 100 shteteve të ftuara nga Presidenti Bajden, pra as në ekrane të llaptopëve. Kosova nuk duhet të jetë indiferente ndaj kësaj situate, aq më pak liderët aktualë”, tha Mustafa.

Mustafa madje kërkoi që Osmani e Kurti t’u tregojnë qytetarëve se pse Kosova është lënë jashtë këtij Samiti.