Profesori i Universitetit të Grazit dhe eksperti i çështjeve të Ballkanit, Florian Bieber, konsideron se çdo alternativë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të duhej të përfshinte një lloj njohjeje reciproke, si formë për normalizimin e marrëdhënieve.
“Çdo zgjidhje për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të duhej të nënkuptonte një lloj njohjeje reciproke, qoftë nëse kjo tani do të nënkuptojë njohje e plotë apo diçka shumë afër saj, por që në fillim të negociatave ishte e qartë se ky është minimumi, që normalizimi nuk do të mund të interpretohej pa të”, deklaroi ai.
Bieber tha se pa njohje nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve dhe shtoi se pyetja e vetme është se si do të përcaktohet në paketë.
“Edhe sot është e çuditshme për mua që njerëzit befasohen, sepse pyetja është se cila është zgjidhja tjetër e mundshme për rezultatin e negociatave”, tha Bieber për programin e dytë të RTK-në në gjuhën serbe.
Bieber beson se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të jetë temë kryesore e negociatave, por shton se pa përcaktuar zgjidhjen përfundimtare, do të jetë e vështirë të gjejnë zbatueshmëri marrëveshjet e arritura mes dy palëve.
“Si pala kosovare edhe ajo serbe nuk janë të gatshme të bëjnë asnjë kompromis, sepse kanë frikë se kjo do t’ua zvogëlojë hapësirën për manovrim kur është fjala për atë paketë zgjidhje përfundimtare të normalizimit të marrëdhënieve. Kam frikë se do të jetë shumë e vështirë…”, ka vlerësuar tutje njohësi i politikave të Ballkanit.
Ai ka kërkuar një lloj uniteti dhe bashkërendimi ndërmjet SHBA-së dhe BE-së për hartimin e politikave drejt Ballkanit Perëndimor.
BE-ja ende nuk ka njoftuar ndonjë datë për vazhdim të dialogut në nivel të lartë ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe.


















