Kosova dhe Sllovenia nënshkruajnë marrëveshjen për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera

E publikuar: 07/10/2021 16:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla së bashku me zëvendëskryeministrin dhe njëherësh ministrin e Mbrojtjes të Sllovenisë, Matej Toni sot kanë nënshkruar marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë për bashkëpunim në mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera.

Në njoftimin e bërë nga MPB thuhet se, marrëveshja rregullon kushtet kornizë për bashkëpunim në parandalimin e fatkeqësive dhe gatishmërinë për ofrimin vullnetar të ndihmës reciproke në rast fatkeqësish në territorin e palës tjetër, dhe forma të tjera të bashkëpunimit të ndërsjellë.

Bashkëpunimi midis palëve do të ndjekë parimet e reciprocitetit dhe do të kryhet brenda kapaciteteve të palëve.“Me marrëveshjen e nënshkruar, bashkëpunimi mes dy vendeve do të zhvillohet në fusha të ndryshme.

Përveç mbrojtjes nga fatkeqësitë dhe ndihmës për shpëtimin dhe lehtësimin e fatkeqësive, marrëveshja gjithashtu parashikon bashkëpunim në shkëmbimin e njohurive shkencore dhe teknike dhe transferimin e ekspertizës për mbrojtjen nga katastrofat, edukimin dhe trajnimin e personelit të përfshirë në aktivitetet e mbrojtjes dhe shpëtimit, zhvillimin dhe prodhimin e pajisjeve mbrojtëse dhe të shpëtimit.

Të dy vendet gjithashtu do të bashkëpunojnë edhe në informimin e njëri -tjetrit në lidhje me rreziqet e aksidenteve dhe pasojat e tyre”, thuhet në njoftim.