Ish-kryeministri i vendit, Isa Mustafa, ka reaguar pas sulmeve që ndodhën ditën e sotme në Zubin Potok e Zveçan.
Mustafa thotë se situata në veri është tepër serioze dhe e rrezikshme teksa shton se në një situatë të tillë presidentja e vendit, kryeministri dhe kryeparlamentari duhet të jenë në Kosovë.
“Situata në veri të Kosovës është tepër serioze dhe e rrezikshme. Në një situatë të tillë , Presidentja, Kryeministri dhe Kryeparlamentari duhet të jenë në Kosovë. Nuk mund të dërgojnë mësazhe, njëra nga New Yorku, tjetri nga Shkupi e nga Budapesti, kurse Njësitë Speciale të Policisë të Kosovës të mbesin të mbërthyera në Jarinje e Bërnjak nën kërcënimin e helikopterëve, avionëve e tanksave të Serbisë. Kjo sjellje është joserioze dhe e pafalshme”.
Tutje Mustafa thotë se Presidentja duhet të thërret Këshillin e Sigurisë së vendit dhe të ndërmerren masat e nevojshme.
“Në momente të tilla do duhej të thirret Këshilli i Sigurisë nga Presidentja e vendit dhe të ndërmerren masat e nevojshme duke u koordinuar me partnerët tanë, SHBA, BE, KFOR-in dhe institucionet relevante në Kosovë”, ka shkruar Mustafa në rrjetin social Facebook.