Ardian Xhaferi i njohur ndryshe si ‘‘The mike’’, anëtar i grupit muzikor ‘‘E7’’, është dënuar me 1 vjet e 4 muaj burg për akuzën se më 2012 e kishte gjuajtur për ta vrarë Burim Osmanin.
Shpallja e aktgjykimit është bërë të martën nga gjykatësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Islam Thaqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, Xhaferi e pranoi fajësinë për akuzat që i vihen në barrë.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Agron Uka, i akuzuari deklaroi se e ndien veten fajtor për veprat penale për të cilat ngarkohet nga prokuroria.
Pranimi i fajësisë nuk u kundërshtua nga prokurori Uka, e më pas u aprovua nga gjykatësi Thaqi.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, Ardian Xhaferi më 15 qershor të 2012-ës, në lagjen “Dardania I”, rruga IV, me dashje dhe paramendim ka tentuar ta privojë nga jeta të pandehurin Burim Osmani. Aty thuhet se Xhaferi me revolen e tij ka shtënë në drejtim të Osmanit, por nuk ka arritur ta godasë, për çka vepra penale mbetet në tentativë, e më pas arratiset nga vendi i ngjarjes.
Për këtë, sipas prokurorisë, Xhaferi ka kryer veprat penale “vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 147, paragrafi 1, nën paragrafi 4 lidhur me nenin 20 të Kodit Penal si dhe “mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve” nga neni 328, paragrafi 2 të Kodit Penal.