Islam MorinaKitaristi nëntvjeçari nga Kosova, Ledion Halitaj, është shpallur fitues i dyfishtë në Festivalin Ndërkombëtar për Kitarë në Transilvani të Rumanisë, shkruan Gazeta Infokus.
Ai ka zënë vendin e parë në kategorinë “Junior”, e dedikuar për grup-moshat deri në dhjetë vjeç dhe çmimin e parë në Kategorinë e Parë, ku pjesëmarrësit kanë qenë deri në moshën 12 vjeçare.
Në këtë festival po marrin pjesë 60 kitaristë nga 18 shtete të botës dhe gara është shumë e fortë.
Suksesi i Ledionit në dy kategori e ka gëzuar profesorin e tij, Erhan Mujka.
Në një prononcim për Gazetën Infokus, ai ka thënë se për kategorinë “Junior”, ka qenë e pritshme që Ledioni të rrëmbej vendin e parë, ndërsa për Kategorinë e Parë, më shumë ka qenë dëshirë për t’u sfiduar me konkurrentë më të rritur.
“Për kategorinë kur përket Ledioni, ky rezultat është pritur duke e ditur se sa kemi punuar, ndërsa sa i përket kategorisë për më të rritur, më shumë ka qenë dëshirë, por që është realizuar dhe jemi shumë të gëzuar”, ka deklaruar Mujka.
Edhe Ledioni është shprehur i lumtur me vlerësimin që i ka dhënë juria profesionale e këtij festivali.
“Jam i gëzuar që kam arritur këtë rezultat. I falënderohem profesorit tim, Erhan Mujka, i cili punon shumë me mua”, ka thënë Halitaj, duke shtuar se tashmë veç është duke u përgatitur për festivalet e radhës.
Këto dy çmime nuk janë të vetmet që sivjet i ka fituar Ledioni.Para pak muajsh, ai ka zënë vendin e parë në dy kategori në Shkup, një vend të parë në Malin e Zi, dhe një në Kosovë.Ai ka filluar të merret me kitarë nga janari i vitit 2020 dhe brenda të njëjtit vit ka fituar katër çmime ndërkombëtare.
Për moshën që e ka, Ledioni konsiderohet si talent i rrallë.
Ëndrra e tij është t’i pushtoj skenat botërore ku interpretohen veprat klasike./Gazeta Infokus/