Hulumtimi i IKShPK-së: Vetëm 38.8% e popullatës së Kosovës e ka kaluar COVID-19

E publikuar: 12/08/2021 21:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka realizuar hulumtimin seroepidemiologjik të bazuar në popullatë i shtresuar sipas moshës për infeksionin SARS CoV-2 (COVID-19) në Kosovë.

Rezultatet preliminare të këtij studimi, sipas IKShP-së, tregojnë se 38.8% e popullatës ka IgG pozitive, ku veçuar sipas rajoneve numri më i madh i personave me IgG pozitiv janë gjetur në rajonin e Prizrenit me 45.6% dhe Ferizajt me 45.3%. Pastaj, vjen rajoni i Prishtinës me 40.0%, rajoni i Gjakovës me 39.5%, Gjilanit 36.3%, Pejës 35.0%, kurse numri më i vogël i IgG pozitive janë gjetur në rajonin e Mitrovicës me 23.4%.IKShPK thekson se pasi që në hulumtimin seroepidemiologjik rezultatet tregojnë se vetëm 38.8% e popullatës ka IgG pozitiv, rezultatet e hulumtimit tregojnë qartë se akoma nuk është arritur imuniteti kolektiv i duhur për t’u mbrojtur nga pandemia e COVID-19 andaj masa më efikase, më e mirë dhe më e lirë është vaksinimi masovik i popullsisë së Republikës së Kosovës.

Ky hulumtim, sipas IKSHP-së, është ndër të rrallët në botë që është bërë i bazuar në popullatë i realizuar nga ekipet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe gjashtë Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike, nga profesionistë të trajnuar në bashkëpunim me OBSH.

Në njoftimin e IKShPK-së theksohet se rastet pozitive me SARS CoV-2 janë rritur në mënyrë rapide javën e fundit dhe, përpos masave tashmë të njohura: bartja e maskave, mbajtja e distancës dhe mbajtja e higjienës, është në dispozicion metoda më e mirë, më e lirë dhe më efikase në luftën kundër COVID-19  – vaksinimi.

Kujtojmë se vetëm gjatë ditës së sotme, në Kosovë janë regjistuar 1 mijë e 9 raste te reja me COVID-19.