Tash e shtatë ditë Kosova po përballet me zjarre në zona të ndryshme. Komunat më të prekura janë, ajo e Suharekës, Prizrenit, Pejës dhe Shtimes.
Por, mësohet se vatrat e zjarrit që vazhdojnë të sjellin rrezik edhe për njerëzit, janë ato në bjeshkët e Rugovës.
Ministria e Punëve të Brendshme, përmes një njoftimi për media thotë se, Kosova prej shtatë ditësh po vazhdon të ballafaqohet me situatën e zjarreve të krijuara si pasojë e temperaturave të larta.
“Në këtë incident janë të angazhuara me kapacitete të plota të gjitha Institucionet përgjegjëse, të cilat po koordinohen nga Qendra Operative e MPB-së. Në shuarjen e zjarreve janë të angazhuara: Ekipet e Zjarrfikësve, Policia e Kosovës, pjesëtarët e FSK-së, Autoritetet e Parkut dhe Ndërmarrjet Publike. Po ashtu për ndihmë në shuarjen e zjarreve nga ajri është angazhuar edhe KFOR-i. Si rezultat i përkushtimit të drejtpërdrejtë në menaxhimin sa më të mirë të situatës së zjarreve në terren edhe anëtarët e kabinetit të MPB-së, kanë vizituar disa vatra zjarri si ato në Shtupeq, Mushtisht, Sallagrazhdë, si dhe në disa lokacione tjera”, vijon komunikata.

















