Burgim deri në 10 vjet për zjarrvënie të qëllimshme

E publikuar: 04/08/2021 20:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zjarret përfshinë rajone të ndryshme të Kosovës në javën e fundit, sikurse edhe në shumë zona nëpër botë.

Përpos kushteve atmosferike, shkaktar dyshohet të jenë edhe individ të caktuar. Prandaj që nga dita kur filluan dyshimet, në njoftimet e Policisë së Kosovës gjithmonë është theksuar se, nëse vërtetohet ndonjë rast i tillë, i akuzuari do të përballet me ligjin.

Zjarrvënia e qëllimshme është vepër penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sipas nenit 322 të këtij kodi, kjo vepër penale është e dënueshme nga 6 muaj deri në 10 vjet burgim, varësisht formës së kryerjes së përcaktuar në kod.

“Nëse si rrjedhojë e zjarrvënies vije deri te humbja e jetës së ndonjë personi, Kodi Penal ka përcaktuar se kryerësi mund të dënohet edhe me burgim të përjetshëm”, thuhet në kod.

Medina Kadriu, hulumtuese ligjore në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), që monitoron punën e gjykatave në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk ka dënime të kësaj natyre.

“Një dënueshmëri e kësaj natyre, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, në fakt flet edhe për rrezikun që ka kjo vepër penale. Gjatë monitorimit të sistemit gjyqësor, ne kemi parë se nuk ka shumë raste që janë proceduar sipas kësaj vepre penale, aq më pak në drejtim të zjarrvënies ndaj pyjeve”, tha Kadriu.

Policia e Kosovës në raportin e saj ditor, të mërkurën, ka njoftuar edhe për incidente tjera të shkaktuara nga zjarret.

Përndryshe, për zjarrvënie të qëllimshme në dy ditët e fundit, Policia e Kosovës ka arrestuar tri persona.