Florent Avdyli është transferimi më i ri i Prishtinës.
Futbollisti kosovar, Florent Avdyli, i cili njihet për cilësitë e tij në mesfushë, është transferimi më i ri i Prishtinës i cili do të jetë nën urdhërat e Zekrija Ramadanit që nga fillimi i sezonit 2021/22, transmeton lajmi.net.
Vet Avdyli u shpreh tejet i kënaqur me transferimin e tij tek kryeqytetasit.
“Ta veshësh fanellën e Prishtinës, është privilegj, por edhe përgjegjësi e madhe. Të luash nën logon e skuadrës e cila është më e trofeshmja në histori të futbollit kosovar, është një ëndërr e bërë realitet”, tha ai.
“Duke u rritur në rrugët e qytetit të Prishtinës, jam rritur me Plisat dhe me dashurinë e qytetarëve të këtij vendi për futbollin dhe sportin në përgjithësi”, shtoi ai.
“Dashuria për këtë qytet, klubin e tifozët, më bënë të mos e mendoj dy herë zgjedhjen që ta vazhdoj karrierën këtu tek Prishtina, kampionia në fuqi e Superligës së Kosovës”, tha Avdyli.
“Rruga përpara do të jetë sfiduese, por me angazhim, vullnet e duke qenë të bashkuar si skuadër, atëherë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Kjo me synimin, që t’i vazhdojmë sukseset aty ku i lanë në edicionin e kaluar”, përfundoi Florent Avdyli.