Përmes një njoftimi për media, Policia e Kosovës ka reaguar rreth gjendjes aktuale në vendin tonë, pas shpërthimit të zjarrit në disa zona të Kosovës.
Policia e Kosovës thotë se janë të përkushtuar në parandalimin dhe shuarjen e zjarreve duke ofruar ndihmë përmes ekipeve të saj.
Gjithashtu, thuhet se po hetohet mënyra se si kanë flluar shpërthimet e zjarreve, dhe se nëse ka të dyshuar rreth shkaktimit të qëllimshëm të zjarrit, ata do të përballen me ligjin.
“Referuar situatës në të cilën ndodhemi lidhur me përhapjen e disa zjarreve nëpër lokalitete të ndryshme të vendit tonë, Policia e Kosovës me kapacitetet e saj në dispozicion po angazhohet me përkushtim në parandalimin dhe shuarjen e zjarreve duke ofruar asistencë me pajisje policore si topat e ujit si dhe duke koordinuar aktivitetet me agjencionet tjera në të gjitha rajonet ku janë raportuar vatra zjarri.
Policia e Kosovës është angazhuar në mënyrë intensive në hetimin e shkaktarëve të zjarreve dhe të gjithë personat/individët që dyshohen se kanë shkaktuar zjarrvënie të qëllimshme, apo si pasojë e neglizhencës së tyre, do të përballen me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.

















