Në debatin për 100-ditëshin e Qeverisë Kurti, të ftuar nga PDK, Qeveria ka marrë kritika të shumta. Nga shumë deputetë opozitar u tha se nuk u përmbush asnjë premtim i dhënë.
Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, përmendi disa premtime, që sipas tij, nuk janë realizuar nga Qeveria.
“Premtuat depolitizim të institucioneve. Çka ndodhi në këto 100 ditë? Në këto 100 ditë pamë se si kjo mazhorancë dhe kjo qeveria është shndërruar në një ndërmarrje të fuqishme për punësime familjare. Asnjë iniciativë ligjore për Fondin Sovran dhe as Bankën Zhvillimore”, tha ai.
Tahiri gjithashtu akuzoi Qeverinë se nuk iu ka dalë në ndihmë 60 mijë punëtorëve që humbën punën si pasojë e pandemisë.
Ai tha gjithashtu se, për këto 100 ditë nuk është ndërmarrë asnjë iniciativë ligjore për krijimin e Fondit Sovran dhe Bankës Zhvillimore dhe shuarjen e AKP-së.
“Premtuat që do e themeloni fondin sovran dhe Bankën Zhvillimore asnjë iniciativë ligjore në kuadër të këtij 100 ditshi as për Fondin Sovran as për Bankën Zhvillimore, thatë se do e shuani AKP-në dhe do e themeloni Agjencinë Zhvillimore pra asnjë iniciativë ligjore për ta shuar AKP-në dhe asgjë në këtë drejtim. Premtuan themelimin e Gjykatës Komerciale një projekt që ua kemi lënë të gatshëm shumë mirë që e sollët dhe ua votuam por asnjë hap nuk e keni bërë as për gjykatën administrative e as për gjykatën e punës të cilat i keni premtuar vetë. Thatë që do e rrisni pagën minimale në 250 euro për 40 orë punë në javë asnjë hap në këtë drejtim”, tha ai.
Ndërsa, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj e ka quajtur Lëvizjen Vetëvendosje, ‘kampione’ në nepotizëm.
Derisa nga LDK, Armend Zemaj tha se kjo Qeveri nuk ka bërë asnjë zhvillim deri më tani.
“Kjo qeveri ka treguar paaftësi në 100-ditëshin e parë. Mbi të gjitha më shumë mashtrim, retorik boshe dhe vet raporti e tregon një gjendje të tillë”, tha Zemaj.
Por kryeministri i vendit, Albin Kurti, kundërshtoi fjalët e deputetëve duke thënë se nuk mund t’i realizojnë të gjitha premtimet e dhëna brenda 100 ditëve. Por premtoi se nuk do të ndalet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Zotimet tona për një mandat 4-vjeçar, nuk i kemi realizuar dot për 100 ditë. Gara jonë nuk është me të kaluarën, por me të ardhmen. Do të jemi të pakompromis dhe nuk do të ndalemi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Me qëllim të ruajtjes së parasë publike, për 100 ditë anuluam marrëveshje të dëmshme, tenderë dhe memorandume të bashkëpunimit në vlerë 100 milionë euro”, tha kryeministri Kurti.



















