Liburn aliu
Liburn Aliu e Hysen Durmishi kanë zgjedhur mënyrën më të dyshimtë të prokurimit publik për t’i shpenzuar paratë e buxhetit të Ministrisë së Infrastrukturës.
Në kohën kur e tërë vëmendja e publikut ishte tek taksa e shumëpërfolur prej 5 eurove për regjistrimin e automjeteve, ministria që ata drejtojnë ka negociuar dhe nënshkruar një kontratë në vlerë 226 mijë euro pa tender fare që lidhet me zgjatjen e pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ,,Adem Jashari”.
Gazeta Infokus ka gjetur se me tender një burimor, të mbyllur apo siç njihet zyrtarisht përmes procedurës së negociuar, pa publikim të njoftimit të kontratës, ky institucion ka angazhuar grupin e operatorëve Velkom KS SH.P.K.; AE Consulting, Inc.
Këto kompani në bazë të përshkrimit të tenderit do të ofrojnë shërbime inxhinierike të pavarur për zbatimin e projektit – zgjatja e pistës dhe ngritja e sistemit instrumental të aterrimit dhe sistemit të radio-komunikimeve për Aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës ,,Adem Jashari” në përputhje me kontratën publike Nr. 318 17.
Megjithatë, ky nuk është rasti i vetëm, kur ministria e drejtuar nga Liburn Aliu ka dhënë tenderë një burimor përmes procedurës së negociuar.
Gazeta Infokus ka raportuar se kjo ministri për më pak se dy muaj ka nënshkruar hiq më pak se 33 tender, 28 prej tyre janë dhënë në mënyrë një burimore.
Kjo formë e dhënies së tenderëve ka vazhduar edhe më vonë kur Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar pesë kontrata për kryerjen e punimeve në teren në këtë formë.
Kështu, pesë kompanive u ka dhënë rreth një milionë euro pa shpallur fare tender.
Saktësisht, pesë kompani pa i hyrë fare garës kanë marr 999, 122 euro nga kjo Ministri, shkruan Gazeta Infokus.
Sipas ligjit për Prokurim Publik, procedurat e negociuara aplikohet në rrethana të veçanta ku autoriteti kontraktues fton dhe këshillohet me operatorët ekonomik të zgjedhur nga ai për t’i negociuar kushtet e kontratës me njërin ose më shumë prej tyre.
Ndërsa, procedurë e hapur nënkupton procedurat e prokurimit që i lejojnë çdo operatori të interesuar ekonomik të paraqet tender e t’i hyj garës për të fituar atë.
Gazeta Infokus ka dërguar pyetje në Ministrinë e Infrastrukturës për të mësuar arsyet e dhënies së tenderëve në këtë formë, por përgjigje nuk ka marr as nga kabineti i ministrit Liburn Aliu, as nga Zyra e Prokurimit.