Shala: Përveç ndryshimit të Kushtetutës, Qeveria Kurti mund të bëjë çfarë të dojë

E publikuar: 05/04/2021 10:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Blerim Shala

4 prilli i vitit 2021, në historinë e demokracisë parlamentare të Kosovës, do të shënohet si ditë kur një lider politik (Albin Kurti), dhe një parti politike (Lëvizja ‘Vetëvendosje’), arritën të vendosin pushtetin absolut politik në Kosovë.

Zgjedhja e Vjosa Osmanit si Presidente e Republikës së Kosovës, me votën e 71 deputetëve në Kuvend, (në mesin e të cilëve janë gjetur edhe deputetë të opozitës parlamentare), të dielën e Pashkëve, rrumbullakësoi fitoren zgjedhore të 14 shkurtit të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’. Tani, tri postet kryesore në Kosovë, ai i Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit, i takojnë një entiteti të vetëm zgjedhor, apo Listës së ‘Vetëvendosjes’ (koalicionit të Partisë së Albin Kurtit dhe Nismës qytetare të Vjosa Osmanit).

Me përjashtim të ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pushteti i ri në vend, realisht, mund të bëjë çfarë të dojë në politikën kosovare, mund ta reformojë thelbësisht legjislacionin në Kosovë (nëse nuk preken parimet themelore të Kushtetutës), dhe mund ta sendërtojë pa kurfarë problemi dhe rezistence opozitare Agjendën e vete politike, në katër vitet e mandatit të vet, i cili mund të kontestohet, në aspektin kohor dhe politik, vetëm nëse vet Albin Kurti vendos të shkojë në zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare.

Këtë do të mund ta bëjë ai nëse vlerëson që në zgjedhjet e reja do të mund të fitojë edhe më shumë mandate se sa që arriti me 14 shkurt (2021).

Albin Kurti shfrytëzoi procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Kosovës, jo vetëm ta konsolidojë pushtetin e tij, por madje, edhe ta shtojë dhe ta forcojë ate. Para nisjes së procedurës së zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit, ai i kishte 58 deputetë, teksa opozita parlamentare i kishte 42 deputetë. Tani, opozita i ka humbur dy deputetë (një PDK dhe një AAK, PDK ka ra në 18 deputetë, AAK në 7 deputetë), teksa ‘Vetëvendosje’ do t’i ketë 59 ose 60 deputetë në radhët e veta. Në anën tjetër, Lumir Abdixhiku dhe Grupi Parlamentar i LDK-së, u vetë-detyruan të ofrojnë atë përkrahjen vendimtare për zgjedhjen e Vjosa Osmanit Presidente të Kosovës, gjë që do të mund të reflektohet në zhvillimet e mëpasme brenda partisë më të vjetër në vend.

Opozita parlamentare, e cila pra doli nga kjo zgjedhja e Presidentit të ri të Kosovës edhe më e dobët se sa që ishte, edhe më e përçarë se sa që ishte, e humbi një tjetër betejë politike me Albin Kurtin, sërish në mënyrë të plotë, bindëse, realisht, pa bërë fare luftë politike, pa u përpjekur që ta ushtrojë atë mandatin e vet opozitar në Kuvendin e Kosovës.

Nuk duhet të kesh dije të madhe politike, për ta ditur që asnjëra prej tri partive opozitare në Kuvendin e Kosovës (PDK, LDK dhe AAK), nuk ka qenë e interesuar të ketë zgjedhje të reja parlamentare në vend, si pasojë e dështimit të zgjedhjes së Presidentit të ri të Kosovës.

Këtë fakt e ka ditur shumë mirë Albin Kurti, prandaj opozita parlamentare nuk ka pasur, në këtë aspekt, fare hapësirë të manovrimit politik.

Pasiqë PDK dhe AAK dolën herët me qëndrimin që deputetët e tyre nuk do të marrin pjesë në Seancën e Kuvendit kur do të jetë në rend të ditës zgjedhja e Presidentit, LDK vendosi

1

ta bëjë të kundërtën, por duke aplikuar atë modelin e ‘fletëvotave të bardha’ (abstenimeve), duke mos votuar formalisht për Osmanin, teksa Quorumi për zgjedhjen e saj, bënte që LDK realisht, ta mundësonte zgjedhjen e saj Presidente të Kosovës.

Po çfarë ka mundur të bëjë opozita parlamentare në këtë Kuvend? A ka mundur të veprojë ndryshe kjo opozitë?

PDK, LDK dhe AAK, do të bënin shumë më mirë, poqëse do ta nominonin një kandidat të përbashkët për President të Kosovës, qoftë edhe nëse ai/ ajo do të ishte një figurë publike që nuk ka lidhje fare me asnjërin prej subjekteve opozitare.

Në atë rast, së pari, do të ri-vendosej ajo kultura politike që të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të marrin pjesë në votimin për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Kjo kulturë fillimisht u prish në mënyrë paqësore, të heshtur, në muajin shkurt të vitit 2011, kur deputetët opozitarë nuk ishin në sallë kur Behxhet Pacolli u zgjodh President i Kosovës. Herën tjetër, kur Hashim Thaçi u zgjodh President i Kosovës, në muajin shkurt të vitit 2016, kjo kulturë u godit në mënyrën më të vrazhdë të mundshme, me gaz lotësjellës dhe me dhunën e gjithëfarshme të ushtruar nga opozita e atëhershme parlamentare. Poqëse pra kësaj here, do të ri-vendosej ai ‘Rregulli’ parlamentar i pjesëmarrjes në zgjedhjen e Presidentit, me gjasë, do të evitoheshin, në të ardhmen, problemet e pashmangshme politike që kanë të bëjnë me këtë proces.

Së dyti, nëse partitë opozitare do të gjenin një kandidat të denjë për President të vendit, me siguri, gara për të Parin e Republikës së Kosovës, do të ishte shumë më interesante, dhe si e tillë, do të ishte një kontribut për cilësinë e politikës kosovare.

Së treti, po ta bënin këtë gjë PDK, LDK dhe AAK, ato do ta ruanin homogjenitetin e brendshëm partiak, dhe për më shumë, në rastin e PDK-së dhe AAK-së, nuk do të ndodhte zvogëlimi i Grupeve parlamentare.

Së katërti, ky bashkëpunimi fillestar opozitar në procesin e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, do t’i krijonte rrethanat më të volitshme për krijimin e një partneriteti opozitar i cili edhe ashtu duket se është i domosdoshëm në përballjen me një pushtet shumë të fortë të Albin Kurtit dhe të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’.

Por, opozita parlamentare vendosi veç e veç se si do të sillet në ballafaqimin me këtë sprovë politike, gjë që vetëm sa ia ka lehtësuar punën Albin Kurtit që ta fitojë edhe një herë, në mënyrën më brutale të mundshme, betejën politike me subjektet tradicionale politike të vendit.

Nëse këto parti mendojnë që së paku kanë dalë fituese me Kryeministrin Kurtin kur bëhet fjalë për miratimin e ndryshimit të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë (i cili u tërhoq nga procedura, për shkaqe të njohura), ato e kanë shumë gabim. Këtë Ligj, herët apo vonë, kur t’i konvenon Kryeministrit të Kosovës, ai do ta sjell në Kuvend dhe do ta kalojë pa kurfarë problemi.

Ishte pra kjo një fitore e Pirros e opozitës parlamentare.

Çfarë do të ndodhë tash e tutje në politikën e vendit, pas krijimit të këtij pushteti absolut në Kosovë, këtë do ta shohim të gjithë së bashku.

Në çdo variant, sidoqoftë, ky do të jetë një test i ri, i madh, i pashoq, për demokracinë kosovare, për skenën politike të vendit, për shtetin e Kosovës, për të gjithë ne.

2

Ata që do ta kalojnë këtë test, do të mund pastaj ta ofrojnë rrëfimin e tyre se si ia dolën. Në fund.