Kurti: Nuk e kemi prioritet dialogun, duhet të përgatitemi mirë

E publikuar: 22/03/2021 13:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti thotë se procesi i dialogut nuk është prioritet i tij. Për më tepër, ai thekson se ky proces është zvarritur, meqë gjithmonë është nxituar.

Ai në ditën kur është konstituuar kuvendi, e që vet ai nuk pati të drejtë kandidimi për deputet, në një tryezë diskutimi ka thënë se nuk është për dialog me regjisor dhe skenarist.

Përkundër paralajmërimit të Bashkimit Evropian për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai ka deklaruar se nuk mund të ketë asociacion një-etnikësh.

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti ka deklaruar se Kosova ka shumë çështje që duhet të diskutojë me Serbinë.

Ai në tryezën e organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, me temën “Si tutje me Dialogun”, tha se Serbia duhet të ia kthejë Kosovës rreth 3 miliardë euro borxhe. Veç tjerash edhe të ofrojë dëmshpërblim për pronat e dëmtuara, kompensim për vuajtjet e luftës dhe po ashtu të kërkoj falje.

Ai ka përmendur katër parimet për dialogun e ardhshëm.

“E para duhet të pranohet realiteti, e dyta duhet pranohet e vërteta, duhet të ulemi si të barabartë dhe e katërta duhet të përfitojnë qytetarët. Duhet të pranohet realiteti sepse nuk mund të kthehemi para pavarësisë, para shpalljes. Po të ishte kjo e mundur edhe ne do të kërkonim shumë. Pra, pavarësia ishte kompromis, për më tepër se kaq, pavarësia nuk është shpallur vitin e kaluar, por para 13 vjetësh”, ka thënë ai.

Gjatë ditës së djeshme, Bashkimi Evropian ka ritheksuar se Kosova duhet ta formojë asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke thënë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk e parandalon këtë. Por, Kurti përsëriti se kjo nuk mund të ndodhë.

“Neni 44 i Kushtetutës së Kosovës garanton lirinë e asociimit, por nuk ka nevojë të negociohet për diçka që ne e kemi të garantuar me Kushtetutë. Nuk mund të kemi Asociacion një-etnik, nuk mund të jetë karakteri i asociacionit të komunave- por jo një-etnik e thotë edhe Gjykata Kushtetuese, i shpallur më 25 dhjetor të vitit 2015. Mund të ketë Asociacion të komunave të bjeshkës së Rugovës, maleve të Sharrit”, ka thënë Kurti në këtë tryezë.

Sipas tij, historia e Kosovës dihet dhe se pushteti i Serbisë duhet të reflektojë për krimet që ka bërë.

Kreu i LVV-së përsëriti se vazhdimi i dialogut nuk është prioritet i tij. Albin Kurti ka theksuar se ky proces është zvarritur, meqë është nxituar.

Kandidati për kryeministër ka shtuar se sapo të marrë mandatin duhet të shikojë dokumentet se ku e ka lën ish-kryeministri Avdullah Hoti procesin e dialogut.