Kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka falënderuar të gjithë nga zemra për besimin, përgjegjësinë dhe nderin e dhënë.
Ai me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se është i vetdijshëm se detyra e re e tij si i pari i LDK-së është me plotë sfida.
“Sot po marr detyrën më me peshë dhe njëkohësisht më me nder në jetën time, udhëheqjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës shtëpinë politike të themeltarëve të shtetit tonë. Po e marr këtë detyrë me dije të plotë mbi sfidat e ardhshme, por me bindje të fortë për rrugën që duhet ndjekur përpara”.
“Sot mbajtëm një proces zgjedhor demokratik. Treguam kulturë të lartë politike e vendosëm një standard të ri në skenën kosovare. Për këtë më meritorët janë delegatët e Kuvendit të LDK-së; anëtarësia jonë e mbi të gjitha miqtë e mi, kundërkandidatët e sotëm e bashkëpunëtorët e mi të përhershëm: Lutë, Besian, Anton – ishte kënaqësi. Sot, në emër të LDK-së falënderoj edhe ish Kryetarin Mustafa që për 10 vitet e shkuara udhëhoqi me shtëpinë tonë politike”.
Abdixhiku ka theksuar se sot po e hapin një faqe të re me synime e qëllime për ta kthyer LDK-në në vendin e saj meritor në skenën politike kosovar.
“Idetë e LDK-së i qëndrojnë kohës. Ato janë fundamente jo vetëm të organizimit tonë partiak, por janë dhe shtylla themeltare të shtetit të Kosovës. Janë ide të nisura nga Presidenti Ibrahim Rugova, janë ide të kultivuara nga dy kryetarët paraprak – do të mbesin ide të mijat e të secilit me të cilin do ta bëjmë këtë rrugëtim bashkë”.
“Sot po e hapim një faqe të re me synime e qëllime për ta kthyer LDK-në në vendin e saj meritor në skenën politike kosovare. Rruga përpara s’është e lehtë, por ajo duhet të jetë e mbarë dhe e drejtë. Rruga përpara kërkon mobilizimin e mendjeve më të mira që kemi brenda. Rruga përpara kërkon rikthimin e mbështetësve të LDK-së, që më kohë kanë ndarë rrugët me ne. Rruga përpara kërkon hapjen ndaj mendjeve më të mira të vendit, që LDK-në dhe idenë e saj e shohin si bindje origjinale e tyre.
LDK do të jetë forcë kujdestare e Republikës së Kosovës në secilën detyrë që qytetarët e drejtë e të mbarë të këtij vendi e dërgojnë. LDK do të jetë forcë konstruktive, aktive dhe e pashtershme në përpjekjen tonë të përbashkët për progres. Në fund, të gjithë e kemi këtë shtet”, ka shkruar Abdixhiku.


















